Gjatë seancës së Kuvendit, ajo ka vënë në pikëpyetje vendimin për suspendimin e katër farmacistëve, duke thënë se një veprim i tillë nuk e zgjidh problemin e furnizimit të pacientëve me barna dhe terapi.

Deliu-Kodra ka pyetur nëse pas këtij vendimi pacientët do të kenë më në fund qasje në barnat esenciale dhe nëse do të lirohen nga detyrimi për t'i blerë vetë terapitë e tyre.

Sipas saj, përgjegjësia për mungesën e barnave nuk mund të bartet vetëm te farmacistët, pasi problemet lidhen edhe me proceset e planifikimit, prokurimit dhe menaxhimit të tyre.

“A mendon dikush që me suspendimin e katër farmacistëve zgjidhet problemi i mungesës së barnave në Kosovë? A do të thotë kjo se prej nesër pacientët nuk do të detyrohen t’i blejnë vetë terapitë e tyre? A nënkupton kjo se barnat esenciale do të jenë në dispozicion të pacientëve në çdo kohë? Sigurisht që jo. Problemi i furnizimit nuk fillon dhe nuk përfundon te farmacisti që i jep barnat. Problemi lidhet me planifikimin, prokurimin dhe menaxhimin e barnave”, ka deklaruar Deliu-Kodra.