Rizvanolli: Serbia nuk i liroi linjat energjetike deri më 1 korrik, vendimin e morëm pas njoftimit të BE-së
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se vendimi i institucioneve të Kosovës lidhur me linjat energjetike që Serbia nuk i ka liruar është marrë pas disa vitesh përpjekjesh dhe pasi Beogradi nuk e kishte zbatuar afatin e përcaktuar deri më 1 korrik 2026.
Duke folur në seancën e Kuvendit të Kosovës, Rizvanolli ka paraqitur kronologjinë e përpjekjeve institucionale për zgjidhjen e kësaj çështjeje, duke theksuar se ajo kishte nisur të trajtohej që nga viti 2021.
Ajo ka bërë të ditur se Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT) kishte paraqitur ankesë zyrtare, ndërsa në vitin 2025 Këshilli i Ministrave i Komunitetit të Energjisë kishte konstatuar shkeljen ligjore të Serbisë për moslirimin e linjave.
Sipas ministres, Serbisë i ishte dhënë afat deri më 1 korrik 2026 për t'i liruar ato, por një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.
Rizvanolli ka thënë se më pas Bashkimi Evropian kishte propozuar një zgjidhje përmes ndërmjetësimit, për realizimin e së cilës Kosovës i ishte kërkuar të priste edhe disa muaj të tjerë.
Megjithatë, pasi edhe kjo përpjekje nuk dha rezultat, institucionet e Kosovës e kishin njoftuar paraprakisht BE-në për vendimin që do të ndërmerrnin.
“Veprimet kanë filluar të ndërmerren dhe kjo çështje ka filluar të ngrihet që nga viti 2021. KOSTT-i zyrtarisht ka bërë një ankesë, kronologjia e vendimmarrjes ka qenë e tillë që tek në vitin 2025 është miratuar nga Këshilli i Ministrave të Komunitetit të Energjisë, një vendim i cili ka konstatuar shkeljen ligjore të Serbisë në rastin e moslirimit të linjave. Vendimi i ka dhënë afat Serbisë deri më 1 korrik 2026 për t’i liruar linjat, kjo nuk ka ndodhur, me këtë rast BE-ja ka propozuar një zgjidhje me ndërmjetësimin e tyre, ne i kemi dhënë edhe disa muaj kohë për të realizuar këtë zgjidhje. Pasi kjo nuk ka ndodhur, ne kemi lajmëruar paraprakisht BE-në disa ditë më herët dhe kemi marrë këtë vendim”, ka deklaruar Rizvanolli.















