Gjashtë ish-anëtarë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, organit që shqyrtonte në shkallë të dytë vendimet e vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët, i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e pjesshëm të ligjit nr. 95/2026, që lidhet me pagat e magjistratëve, i cili parashikon rritjen e pagave të gjyqtarëve e prokurorëve sa 2% e pagës së Presidentit, pra 9 herë më pak se ajo që ata kërkojnë.
Albana Shtylla, Ina Rama, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo kundërshtojnë dispozitat ligjore që i përjashtojnë ish-gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga efektet financiare të ndryshimit të pagës referuese bazë.
Sipas kërkesës së tyre, gjatë ushtrimit të mandatit, anëtarët e Kolegjit gëzonin statusin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe për këtë arsye, pretendojnë se duhet të përfitojnë nga ndryshimet e pagave për periudhën kur kanë qenë në detyrë.
Ish-anëtarët e KPA-së kërkojnë që efektet financiare të ndryshimeve të pagave të zbatohen në mënyrë prapavepruese, duke nisur nga data 1 prill 2023.
Ata kërkojnë gjithashtu që ankimi i tyre të bashkohet me çështjen e nisur më 21 shtator 2026 nga shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilat kanë kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese të njëjtin ligj.
Për këtë çështje, Gjykata Kushtetuese ka caktuar seancën publike më 2 dhjetor 2026.








Komente
Komento