Vrasja për hakmarrje e Briken Sanajt, Prokuroria e Tiranës kërkon 35 vite burg për Vladimir Kolën
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 35 vite burg për Vladimir Kolën, i dyshuar si autori i vrasjes së Briken Sanajt, i ekzekutuar me armë zjarri në zonën e Kodrës së Diellit në kryeqytet, në tetor të vitit 2022. Në përfundim të hetimeve, organi i akuzës ka kërkuar gjithashtu dënime me burg për katër persona të tjerë, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar në realizimin e krimit dhe në fshehjen e gjurmëve.
Ngjarja e rëndë u regjistrua në mesnatën e 31 tetorit 2022. Briken Sanaj, 39 vjeç, nga Lezha, u qëllua me armë zjarri tip kallashnikov sapo kishte parkuar automjetin dhe ishte larguar nga garazhi i banesës së tij në kompleksin “Kodra e Diellit”. Ai mori tre plumba në trup dhe, megjithëse miqtë që ndodheshin me të tentuan ta transportonin drejt spitalit, ndërroi jetë gjatë rrugës.
Autorët dyshohet se vepruan në grup. Sipas hetimeve, dy persona u futën në kompleks duke kaluar rrethimin e jashtëm dhe iu afruan viktimës, të cilin e qëlluan nga një distancë e afërt, duke u fshehur pas një peme. Më pas u larguan me ndihmën e një personi të tretë, ndërsa një person i katërt kishte rolin e vëzhguesit të zonës.
Pak minuta pas atentatit, në Qafë Kashar u gjet një automjet tip “Benz” i djegur. Brenda tij u zbulua edhe kallashnikovi me të cilin dyshohet se u krye vrasja, ndërsa targat e automjetit rezultuan të vjedhura.
Konflikti i vjetër mes dy familjeve, dyshimet për hakmarrje
Sipas hetimeve, motivi i vrasjes lidhet me një konflikt të hershëm mes familjes së viktimës dhe asaj të autorëve të dyshuar. Përplasja datonte rreth 10 vite më parë dhe lidhej me plagosjen e një familjari të Vladimir Kolës nga vëllai i viktimës.
Prokuroria vlerëson se Vladimir Kola e kreu vrasjen me paramendim për motive hakmarrjeje. Sipas organit të akuzës, ai kishte ndërmarrë edhe veprime për të mos lënë gjurmë, duke hyrë dhe dalë nga Shqipëria nëpërmjet Malit të Zi, si dhe duke siguruar automjetin e përdorur në atentat pa kryer procedurat e zakonshme noteriale.
Bashkëpunëtorët, nga arrestimet te kërkesat për dënim
Në shkurt të vitit 2023, në Pejë të Kosovës u arrestua Gjelosh Krasniqi, i dyshuar si bashkëpunëtor në atentat. Ai u kap nga autoritetet kosovare së bashku me një person që dyshohej se e kishte strehuar.
Ndërsa në prill të vitit 2024, Vladimir Kola u arrestua në Gjermani gjatë operacionit “Versus”, në bashkëpunim mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve gjermane. Më 20 shkurt 2025, ai u ekstradua në Shqipëri për t’u përballur me drejtësinë.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria ka kërkuar 35 vite burg për Vladimir Kolën, për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”.
Për Gjelosh Krasniqin dhe shtetasin Kened Antoni, të akuzuar për “Moskallëzim krimi”, janë kërkuar përkatësisht 3 dhe 2 vite burg. Sipas Prokurorisë, ata kishin dijeni për personin të cilit i ishte shitur automjeti i përdorur në vrasje, por nuk kishin kallëzuar identitetin e tij.
Ndërkohë, për shtetasin E.H. është kërkuar dënimi me 5 vite burg, pasi dyshohet se ka pritur Vladimir Kolën në Mal të Zi, e ka shoqëruar dhe i ka siguruar hotelin ku qëndroi. Për shtetasin Z.K. është kërkuar dënimi me 2 vite burg, pasi akuzohet se ka fshirë pamjet e kamerave të sigurisë në ambientet ku Kola kishte drekuar dhe kishte kryer blerjen e automjetit.




