Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, ka pritur në një takim ambasadoren e Mbretërisë së Danimarkës, Louise Elisabeth Rigtrup Holmsgaard, me të cilën ka diskutuar për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në fokus të takimit ishte vendimi i Danimarkës për të rihapur ambasadën e saj në Tiranë, të cilin Hoxha e cilësoi si një votë të qartë besimi ndaj Shqipërisë dhe një angazhim për të çuar më tej partneritetin dypalësh.

Gjatë bisedës u diskutua për thellimin e dialogut politik, zgjerimin e shkëmbimeve tregtare dhe nxitjen e investimeve, veçanërisht në energjinë e rinovueshme, inovacionin digjital dhe turizmin e qëndrueshëm.

Hoxha falënderoi Danimarkën për mbështetjen ndaj procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, si dhe për qëndrimin e saj në favor të një procesi zgjerimi të besueshëm dhe të bazuar në meritë.

Në takim u theksua gjithashtu bashkëpunimi mes dy vendeve si aleatë në NATO, me fokus forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe në hapësirën euroatlantike.

“Pres me kënaqësi të punojmë ngushtë së bashku dhe ta shndërrojmë këtë prani të ripërtërirë daneze në një partneritet edhe më të fortë mes vendeve tona”, u shpreh Hoxha.