Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar propozimet e opozitës për rritjen e pagave dhe pensioneve, duke kërkuar rritje me 50% të pagave të ulëta, me 30% të pagave të mesme dhe vendosjen e një minimumi jetik, në mënyrë që asnjë pension në Shqipëri të mos jetë nën 200 euro.
Berisha deklaroi se pagat e larta nuk duhet të kenë rritje, ndërsa akuzoi qeverinë se ka rritur vetëm pagat e personave që, sipas tij, angazhohen për të ushtruar dhunë ndaj protestuesve.
“Ka rritur vetëm rrogat e narkobanditëve. 2500 euro për të rrahur, për të torturuar, për të masakruar të rinjtë në protestë. Rritje me 50 përqind të rrogave të ulëta, me 30 përqind të rrogave të mesme. Asnjë qindarkë rrogat e larta”, deklaroi Berisha.
Ai argumentoi se rritja e propozuar është e përballueshme financiarisht, duke iu referuar fondit të përgjithshëm të pagave, që sipas tij është rreth 103 miliardë lekë, ose 1.3 miliardë euro. Berisha tha se fondet mund të sigurohen duke shkurtuar shpenzimet për tenderat dhe prokurimet, për të cilat pretendoi se qeveria ka parashikuar 2.2 miliardë euro.
Kreu i PD-së akuzoi qeverinë për abuzime me fondet e investimeve, duke iu referuar pretendimeve të tij për raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, sipas të cilave 90% e fondeve të investimeve përfundojnë të vjedhura.
Një tjetër kërkesë e Berishës është vendosja e minimumit jetik në 200 euro, duke përfshirë jo vetëm pensionet e plota, por edhe pensionet e pjesshme, pagesën e papunësisë dhe ndihmën ekonomike.
“Asnjë pension në Shqipëri nën 200 euro. Dhe kur them pension, them pension të pjesshëm, jo të plotin. Të mos ketë shqiptar që firmos nën 200 euro. As rrogë papunësie, as ndihmë ekonomike”, u shpreh ai.
Berisha e cilësoi buxhetin e paraqitur nga qeveria si të papërshtatshëm për t’iu përgjigjur problemeve ekonomike të qytetarëve dhe u bëri thirrje shqiptarëve që të marrin pjesë në protestën e 28 Nëntorit, duke kërkuar edhe rrëzimin e këtij buxheti.
Në vijim, ai ngriti pikëpyetje mbi përdorimin e 67 miliardë eurove që, sipas tij, janë shpenzuar përmes buxheteve ndër vite, duke akuzuar qeverinë për vjedhje të fondeve publike.
Si shembull, Berisha përmendi tenderin e tunelit të Llogarasë, duke pretenduar se oferta sllovene ishte 130 milionë euro, por pas anulimit të tenderit projekti përfundoi me një kosto prej 220 milionë eurosh, me një diferencë prej 90 milionë eurosh.a.b





