Një konflikt mes dy të dënuarëve ka ndodhur në burgun e Reçit në Shkodër, ku si pasojë njëri prej tyre mbeti i dëmtuar në fytyrë. Pas ngjarjes, Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale arrestoi në flagrancë Sebastian Ogiçin për veprat penale "Plagosja e lehtë me dashje, e kryer në bashkëpunim" dhe "Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara", pasi gjatë kontrollit në dhomën e tij u gjet dhe u sekuestrua një celular. Gjithashtu, i dënuari tjetër Altedi Jolldashi u procedua penalisht në gjendje të lirë për plagosje të lehtë me dashje në bashkëpunim. Të dhënat nga dosjet e mëparshme gjyqësore tregojnë se personat e përfshirë në konflikt vuajnë dënime për vepra të rënda penale. Sebastian Ogiçi është dënuar për vjedhje me armë dhe dhunë në bashkëpunim, pasi në vitin 2022 në Tiranë, së bashku me persona të tjerë, dyshohet se u paraqit si efektiv i antidrogës dhe nën kërcënimin e armës i mori çantën një 32-vjeçari. Ndërkohë, Altedi Jolldashi është dënuar me 6 vite burg për vrasje të mbetur në tentativë, pasi në vitin 2024 u përfshi në një shkëmbim zjarri në Pogradec ku mbeti i plagosur, ndërsa më herët, në vitin 2020, ishte arrestuar për transportim të lëndëve narkotike.