Financimi i bankave duhet të mbështesë investimet që nxisin prodhimin, inovacionin dhe eksportet

Kredia për sektorin privat po rritet me mbi 15% dhe ka arritur në rreth 35% të PBB-së, nivelin më të lartë të dekadës së fundit. Në konferencën e revistës “Monitor” për 200 kompanitë më të mëdha në vend, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se financimi bankar duhet të mbështesë më shumë investimet në prodhim, inovacion dhe eksporte, për ta orientuar rritjen ekonomike drejt produktivitetit.
Konferenca shërbeu si një platformë diskutimi mbi zhvillimet kryesore të ekonomisë shqiptare, rolin e sipërmarrjeve në krijimin e vlerës së shtuar dhe sfidat që shoqërojnë integrimin në tregun evropian.
Gjatë diskutimit në panel, Guvernatori Sejko u ndal në tri çështje kryesore: orientimin e modelit të zhvillimit ekonomik drejt rritjes së produktivitetit; rolin e sektorit bankar në financimin e ekonomisë; si dhe prioritetet në bashkërendimin e politikave ekonomike për të ardhmen.
Lidhur me modelin e zhvillimit ekonomik, Guvernatori theksoi se, pavarësisht goditjeve të njëpasnjëshme të viteve të fundit, ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet me ritme të qëndrueshme prej rreth 4%, ndërsa inflacioni ka qëndruar pranë objektivit 3% të Bankës së Shqipërisë. Punësimi dhe pagat kanë shënuar rritje, ndërkohë që stabiliteti financiar është konsoliduar. Gjithashtu, PBB-ja për frymë, e matur sipas paritetit të fuqisë blerëse, është rritur nga 32% në 43% të mesatares së Bashkimit Evropian gjatë katër viteve të fundit.
Guvernatori nënvizoi se ky progres duhet të shoqërohet me përpjekje të mëtejshme për t’u afruar me nivelet evropiane të mirëqenies. Ecuria e sektorëve të ekonomisë mbetet e ndryshme: ndërkohë që shërbimet dhe turizmi kanë mbështetur rritjen, industria dhe bujqësia janë përballur me më shumë vështirësi. Rritja e kostove, mungesa e fuqisë punëtore dhe presionet mbi konkurrueshmërinë e bëjnë gjithnjë e më të nevojshëm orientimin drejt një modeli zhvillimi të mbështetur te produktiviteti.
Në këtë kontekst, ai evidentoi nevojën për më shumë investime në teknologji dhe në zhvillimin e aftësive të punonjësve, përmirësimin e klimës së biznesit dhe reduktimin e informalitetit. Guvernatori theksoi gjithashtu se integrimi evropian krijon mundësi për zgjerimin e tregjeve, tërheqjen e investimeve dhe përfshirjen në zinxhirët evropianë të prodhimit e furnizimit, duke kërkuar njëkohësisht përgatitje për standarde më të larta dhe konkurrencë më të fortë.
Duke u ndalur te roli i sektorit bankar, z. Sejko vlerësoi se bankat mbeten një mbështetës i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik. Sektori bankar është i shëndetshëm, i mirëkapitalizuar dhe me likuiditet të bollshëm, ndërsa raporti i kredive me probleme ka zbritur në 3.7%, nga 25% një dekadë më parë. Kredia për sektorin privat po rritet me mbi 15% dhe ka arritur në rreth 35% të PBB-së, nivelin më të lartë të dekadës së fundit.
Guvernatori theksoi se financimi duhet të mbështesë gjithnjë e më shumë investimet që nxisin prodhimin, inovacionin, eksportet dhe krijimin e vlerës së shtuar në ekonomi. Kjo kërkon produkte bankare të përshtatshme për investime afatgjata, më shumë transparencë financiare dhe formalizim nga bizneset, si dhe përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor e institucional. Në këtë drejtim, ai përmendi kontributin e Bankës së Shqipërisë në forcimin e kuadrit rregullator e mbikëqyrës, si dhe në modernizimin e sistemeve të pagesave, përfshirë integrimin në SEPA dhe TIPS Clone, të cilat lehtësojnë transaksionet dhe ulin kostot për qytetarët e bizneset.
Sa u përket prioriteteve të politikave ekonomike, Guvernatori veçoi ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar, forcimin e qëndrueshmërisë së financave publike dhe përshpejtimin e reformave strukturore. Ai nënvizoi rëndësinë e uljes graduale të borxhit publik dhe të orientimit të investimeve publike drejt projekteve në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe teknologji, të cilat rrisin potencialin afatgjatë të ekonomisë.
Në përfundim, Guvernatori Sejko iu përgjigj interesit të pjesëmarrësve mbi çështjet e trajtuara gjatë diskutimit.
Ekonomia shqiptare me rritjen më të ulët në rajon, pa rolin e taksave dhe administratës publike
Biznesi kërkon një model të qartë ekonomik, integrim europian dhe investime në produktivitet
Bizneset shqiptare përballë boshllëkut të sigurimit, tregu gati të kontribuojë në skemë kombëtare
Industria përpunuese në rënie prej 2022-it, bizneset kërkojnë konsultim për politikat fiskale
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









