Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka pritur në një takim ambasadoren e Danimarkës në Shqipëri, Louise Elisabeth Rigtrup Holmsgaard, me të cilën ka diskutuar për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe investimet në sektorë strategjikë.
Në fokus të bisedës ishte edhe mbështetja daneze për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si dhe rihapja e Ambasadës së Danimarkës në Tiranë.
“Kënaqësi të prisja dhe të takoja Sh.S. Louise Elisabeth Rigtrup Holmsgaard, Ambasadore e Mbretërisë së Danimarkës, @DKinAlbania. 🇦🇱🇩🇰
Vendimi i Danimarkës për të rihapur Ambasadën e saj në Tiranë, duke shënuar një prani më të fortë daneze në Shqipëri, është një votë e qartë besimi ndaj vendit tonë dhe një angazhim i fortë për thellimin e marrëdhënieve tona dhe çuarjen më tej të partneritetit mes dy vendeve.
Diskutuam për mënyrat se si mund të thellojmë dialogun politik dhe të zgjerojmë shkëmbimet tregtare dhe investimet, veçanërisht në fushat e energjisë së rinovueshme, inovacionit digjital dhe turizmit të qëndrueshëm. Në të tria këto fusha, ekspertiza daneze dhe ambiciet e Shqipërisë plotësojnë natyrshëm njëra-tjetrën, me potencial real për bashkëpunim konkret dhe me përfitim të ndërsjellë.
Falënderova Danimarkën për mbështetjen e saj të palëkundur ndaj procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe për një proces zgjerimi të besueshëm e të bazuar në meritë.
Si aleatë në NATO, ndajmë gjithashtu një interes të drejtpërdrejtë për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe në hapësirën më të gjerë euroatlantike. Ambasadore Holmsgaard, mirë se vini në Shqipëri.
Pres me kënaqësi të punojmë ngushtë së bashku dhe ta shndërrojmë këtë prani të ripërtërirë daneze në një partneritet edhe më të fortë mes vendeve tona”, shprehet Hoxha.