Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzon qeverinë, duke thënë se buxheti i vitit 2027, i reklamuar si buxheti më i madh në histori me 10 miliardë euro, është një buxhet që favorizon korrupsionin dhe shpenzimet e administratës, ndërsa lë në harresë pensionistët dhe qytetarët me të ardhura të ulëta. Në një konferencë për mediat ditën e sotme, Berisha e cilësoi shifrën prej 10 miliardë eurosh si spekulim, duke argumentuar se, po të llogaritet me kurset e mëparshme të këmbimit, rritja reale e buxhetit është shumë më e vogël. Ai deklaroi se vetëm 1 për qind e PBB-së është parashikuar për pensionistët, duke kërkuar dyfishimin e menjëhershëm të fondit për pensionet, nga 300-350 milionë euro në të paktën 700 milionë euro.
Berisha paraqiti edhe propozimet e Partisë Demokratike për rritjen e të ardhurave të qytetarëve. Sipas tij, pagat e ulëta duhet të rriten me 50 për qind, pagat e mesme me 30 për qind, ndërsa pagat e larta të mos kenë rritje. Ai kërkoi gjithashtu vendosjen e një minimumi jetik, në mënyrë që asnjë pension të mos jetë nën 200 euro, duke përfshirë edhe pensionet e pjesshme, ndihmën ekonomike dhe pagesën e papunësisë.
Lideri opozitar argumentoi se këto masa mund të financohen përmes përgjysmimit të shpenzimeve operative të administratës dhe shkurtimit të fondeve për tenderat dhe prokurimet publike. Ai akuzoi qeverinë se një pjesë e madhe e parave të investimeve përfundojnë të shpërdoruara përmes korrupsionit, duke përmendur si shembull tunelin e Llogarasë, kostoja e të cilit, u rrit ndjeshëm krahasuar me ofertën fillestare.
Berisha e cilësoi buxhetin cinik dhe të pashpirt ndaj qytetarëve, duke u bërë thirrje shqiptarëve që të mbështesin protestën e 28 Nëntorit në Tiranë dhe kundërshtimin e këtij buxheti. Gjatë sesionit të pyetje-përgjigjeve me gazetarët, Berisha foli edhe për bashkëpunimin opozitar në zgjedhjet vendore të 9 majit 2027. Ai deklaroi se PD po punon për krijimin e një koalicioni të gjerë me të gjitha forcat politike, grupet e interesit dhe faktorët që e konsiderojnë qeverisjen e Edi Ramës si të keqen më të madhe të vendit, duke theksuar se bashkëpunimi mund të realizohet duke ruajtur identitetin e secilit subjekt politik.
I pyetur për reformën zgjedhore, Berisha tha se kërkesat e paraqitura nuk janë vetëm të PD-së, por të gjithë spektrit opozitar, ndërsa për protestën e 28 Nëntorit konfirmoi mbështetjen e plotë të Partisë Demokratike. Ai u bëri thirrje demokratëve dhe mbështetësve të opozitës nga të gjitha trevat e Shqipërisë dhe diaspora që të bashkohen në protestën e 28 Nëntorit në Tiranë.
SESIONI PYETJE-PËRGJIGJE ME GAZETARËT
Z. Berisha, a keni ndërmarrë ndonjë hap për të krijuar koalicionin me të gjitha forcat që janë në opozitë për zgjedhjet lokale të datës 9 maj të vitit 2027?
Sali Berisha: Ne po punojmë. Vetëm se ky koalicion është i ndryshëm nga çdo koalicion që është bërë nga viti ‘91 gjer sot. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë përpjekje e ndershme për të bashkëpunuar me çdo forcë politike, çdo grup interesi dhe të gjithë ata që konsiderojnë të keqen më të madhe Edi Ramën dhe narkoshtetin e tij. Çfarë do të thotë kjo? Një bashkim duke ruajtur të gjithë identitetet. Po! Një bashkim dhe me ata që platformën e tyre e kanë kundër Partisë Demokratike. Po! Në mënyrë që së bashku të përcjellim në banesën e turpit kreun e narkoshtetit shqiptar dhe të vendosim një qeveri për një kuadër ligjor të standardeve më të mira ndërkombëtare për zgjedhjet, siç është njoftuar secili të testohet para qytetarëve shqiptarë, dhe qytetarët shqiptarë të zgjedhin atë që konsiderojnë më të mirë.
Pra, ky është një spektër i gjerë në konceptin tonë ku ne nuk përjashtojmë nga ky bashkërendim dhe bashkëpunim asnjë faktor që beson se Edi Rama është e keqja më e madhe e vendit.
Një pyetje në lidhje me reformën zgjedhore. A është kërkesa e Partisë Demokratike për ndryshimin e sistemit një kusht i panegociueshëm? Që do të thotë, do të kemi reformë zgjedhore pa sistem?
Sali Berisha: Ato që kemi paraqitur ne janë kërkesa jo vetëm të Partisë Demokratike, por janë kërkesa të të gjithë spektrit opozitar. Dhe ne jemi përshtatur, kemi përfillur kërkesat e të gjithë spektrit opozitar. E rëndësishme është që atyre t’u dalë zot i gjithë spektri opozitar.
Z.Berisha, a do ta mbështesë Partia Demokratike protestën e thirrur nga qytetarët dhe diaspora në 28 nëntor?
Sali Berisha: Mbështetjen më të fuqishme. Dhe thirrja mine është sot për çdo anëtarë dhe anëtare, për çdo mbështetës dhe mbështetëse të Partisë Demokratike, me 28 Nëntor të gjithë në Tiranë në nderim të flamurit tonë kombëtar kundër këtij regjimi armiqësor ndaj flamurit, ndaj kombit dhe vendit. Nuk ka nderim më të madh për të rënët e kombit atë ditë, sesa të luftosh për idealet e tyre kundër këtij narkodiktatori. Dhe unë kam besim se demokratët nga të katër anët e Shqipërisë dhe të katër anët e dheut do të jenë në atë protestë më shumë se asnjëherë.
