Në emisionin “Me Zemër të Hapur” të autores dhe moderatores Evis Ahmeti, është trajtuar sot historia e një 34-vjeçareje, e cila ka zgjedhur të flasë publikisht për atë që pretendon se ka përjetuar gjatë marrëdhënies me ish-bashkëjetuesin e saj, 52-vjeçarin Bledar Bakaj.
Në një rrëfim të mëparshëm ne studion e emisionit “Me Zemër të Hapur”, ajo deklaroi se ishte mbajtur peng, dhunuar dhe përdhunuar prej tij. Akuza të rënda, të cilat Bakaj i ka mohuar. Por ngjarjet morën një tjetër përmasë më 13 shtator 2026, në fshatin Suk të Roskovecit. Pavarësisht një urdhri mbrojtjeje, Bakaj shkoi në banesën e ish-bashkëjetueses së tij. Pas një konflikti, ai dyshohet se plagosi me drapër në këmbë babanë 67-vjeçar të saj. Policia e arrestoi rreth gjysmë ore pas ngjarjes.
Për këtë episod, Gjykata e Fierit caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”. Ndërkohë, më 9 nëntor 2026, gjykata pranoi sërish kërkesën për caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” ndaj 52-vjeçarit, ndërsa Prokuroria vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“Më futi në makinë gjoja sikur do më çonte mua në për vizitë. Babait i tha që do të më dërgonte me ambulancë në Tiranë, por më çoi në shkurret e Vlorës dhe më përdhunoi.
Më ka përdhunuar edhe në sy të djalit të tij 10-vjeçar, më ka dhunuar dhe përdhunuar. Edhe atë fëmijë e ka dhunuar shumë, mirë që shpëtuam kokën prej tij. Ai fëmijë duhet të ketë një ngarkesë shumë të madhe.
Gjithçka për mua zgjati 45 ditë, por më duket sikur ka kaluar 450 vite. Më thoshte e ke vendin në varreza, do të të fus në një kuti xhami të të shoh kur të shkëputet mishi nga kocka.
Më tha po tregove gjë do të të thyej një këmbë e një krah.
Kam ikur me djalin, nëpër ullishte, nëpër ferrat, nëpër kanale.
Djali më shpëtoi, djali bën 15-vjeç tani, thoshte lëre të ikë se po e mban peng, ai e rrihte çdo padite. Mbante thikë dhe sëpatë”, rrëfen 34-vjeçarja.












