Mauricio Pochettino ka marrë zyrtarisht drejtimin e Manchester United dhe nuk ka humbur kohë për të vendosur standardet e tij në dhomat e zhveshjes. Trajneri argjentinas ka prezantuar një kod të ri sjelljeje, me tri rregulla që lojtarët duhet t’i zbatojnë pa përjashtim.
Pochettino nuk ka shumë kohë në dispozicion për ta ndërtuar gradualisht skuadrën sipas ideve të tij taktike. Për këtë arsye, ai ka vendosur që qysh në ditët e para të rrisë nivelin e disiplinës dhe të vendosë një rutinë më të qartë pune.
Sipas strategut argjentinas, puna, rregulli dhe disiplina janë elemente thelbësore për të rikthyer stabilitetin në një skuadër që vitet e fundit ka vuajtur nga mungesa e vazhdimësisë në stol, ideve të qarta dhe identitetit të lojës.
Tri janë rregullat kryesore që Pochettino ka vendosur në ambientet e klubit:
- Nuk ka pushim pas ndeshjeve
Lojtarët nuk do të kenë më ditë pushimi menjëherë pas përfundimit të ndeshjeve. Përjashtim do të bëhet vetëm në rastet kur skuadra ka udhëtime të gjata jashtë vendit për angazhimet në kompeticionet evropiane.
- Kontroll i rreptë i gjendjes fizike
Futbollistët do të duhet të kujdesen maksimalisht për përgatitjen fizike. Kjo do të përfshijë matje të rregullta dhe vlerësime të përqindjes së yndyrës trupore, me qëllim monitorimin e gjendjes së secilit lojtar.
- Vakte të përbashkëta dhe kontroll i ushqimit
Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet edhe mënyrës së ushqyerjes, sidomos para ndeshjeve. Lojtarët do të kenë detyrimin të konsumojnë vakte së bashku, duke bërë të mundur kontrollin e dietës, por edhe forcimin e frymës së grupit.
