Projekti për ndërtimin e hekurudhës Durrës–Tiranë, së bashku me lidhjen e re drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit, po i afrohet përfundimit.
Kryeministri Edi Rama ndau në një postim në rrjetet sociale pamje nga stacioni i ri hekurudhor i Vorës, pjesë e projektit të hekurudhës.
“Ja edhe stacioni hekurudhor i Vorës, teksa edhe hekurudha Durrës–Tiranë, me lidhjen e re drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit, po i afrohet më në fund vijës së finishit”, shkruan Rama.
E gjithë linja hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas ka një gjatësi prej 39 km në total, 34 prej të cilave i përkasin segmentit Tiranë-Durrës dhe 5 km është gjurma e re që lidhet me aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Me ndërtimin e kësaj hekurudhe distanca Tiranë-Rinas do të përshkohet për 12 minuta, ndërsa ajo Tiranë-Durrës për 22 minuta.
Përmes këtij projekti synohet krijimi i një alternative të re të transportit publik, duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe turistëve mes dy qyteteve kryesore të vendit dhe aeroportit.
Transporti i rregullt i udhëtarëve në këtë korridor hekurudhor pritet të nisë brenda 2027, pas përfundimit të punimeve, elektrifikimit dhe certifikimit të sistemeve.

