Deputeti i Partisë Socialiste Adi Qose dhe gazetari Isa Myzyraj diskutuan në studion e emisionit ‘Sot Live në Shqipëri’ për një sërë temash të rëndësishme politike, mes të cilave edhe për kandidaturat e mundshme të mazhorancës për Bashkinë e Tiranës.

Qose tha gjatë fjalës së tij se në mbledhjen e Asamblesë së PS pak ditë më parë nuk u diskutua për emra kandidatësh për Bashkinë e Tiranës, apo bashkitë e tjera të vendit.

Ai tha gjithashtu se për këtë çështje, nuk ka pasur një mbledhje të Grupit Parlamentar të PS-së.

Sipas Qoses, PS e ka të sigurit fitoren e Bashkisë së Tiranës dhe sipas tij, nuk është problem mos-zyrtarizimi i emrit të kandidatit rreth 6 muaj para zgjedhjeve.

“S’ka patur një mbledhje të Grupit të PS për emrat e kandidatëve për Bashkinë Tiranë dhe bashkitë e tjera. Në Asamble nuk u propozua asnjë kandidat për Bashkinë Tiranë. Demo dhe Koçiu janë 2 bashkëkryetarët e rinj të bashkisë Tiranë. Unë nuk e shikoj në asnjë opsion humbjen e Bashkisë Tiranë. Edhe senatori Majko nuk e shihte si një humbje, por gjithkush është i lirë të shpresë shqetësimet e tij duke parë edhe situatën që mund të kemi kaluar. Por ajo që unë shikoj dhe jam i bindur është që PS e ka forcën për të nxjerrë një kandidat fitues. PS do të zgjedhë në fund, pas konsultimeve me forumet e tyre, kandidatin dhe kryetarin e ardhshëm të Bashkisë Tiranë”, tha mes të tjerash Qose.

Nga ana tjetër, gazetari Isa Myzyraj përmendi 4 emra që sipas tij shihen si më favoritë për t’u kandiduar nga PS për Bashkinë Tiranë.

Myzyraj tha se 4 emrat që janë në tryezën e drejtuesve të PS janë Erion Braçe, Ogerta Manastirliu, Arbër Hajdari dhe Ervin Damo.

Emri i Hajdarit, të cilin e përmendi edhe kryebashkiaku aktual i Tiranës, Erion Veliaj, sipas Myzyrajt është një opsion, pasi për gazetarin Partisë Socialiste i leverdis më shumë që të garojë në kryeqytet me një kandidat jo shumë politik.

Por Myzyraj shtoi se 2 kandidatët për Tiranën janë Erion Braçe dhe Ervin Demo. Ai veçoi Braçen, për të cilin tha se ka mbështetje të gjerë të bazës së PS.

“Sot në tryezën e drejtuesve të Partisë Socialiste janë 4 emra për kandidatë për Bashkinë Tiranë. Duke nisur nga Erion Braçe padyshim, nga Ogerta Manastirliu, Arbër Hajdari dhe Ervin Demo. Zonja Koçiu nuk është kandidate për Bashkinë Tiranë. Emri i Arbër Hajdarit nuk është djegur. Sepse shumë kanë thënë që është djegur ngaqë e përmendi Veliaj. Sepse janë me këtë idenë që po t’u përmend emri, je i djegur. PS unë ende besoj që sot i leverdis që në zgjedhjet lokale të 2027-ës për Bashkinë e Tiranës të shkojë me një emër jo shumë politik. Më i kuotuari aktualisht mes socialistëve aktivë është Ervin Demo nga drejtuesit e PS, por Erion Braçe nga baza e PS-së. Manastirliu është e lëkundur. Duhet thënë që Braçe i ka votat e sicialistëve në bazë”, tha mes të tjerash Myzyraj.