Kryeministri polak, Donald Tusk, ka reaguar me tone ironike ndaj deklaratave të Presidentit amerikan, Donald Trump i cili iu referua presidentit rus, Vladimir Putin dhe atij kinez, Xi Jinping, si “miq”.

Përmes një postimi në platformën X, Tusk shprehu pakënaqësinë e tij ndaj mënyrës se si Trump iu drejtua dy liderëve, duke publikuar një mesazh të shkurtër, por domethënës:

“Zoti im, na ruaj nga miq të tillë”.- shkruan Tusk.

Reagimi i kryeministrit polak vjen nga Berlini, ku ai po merr pjesë në takimin e të ashtuquajturës “Aleanca e të Gatshmëve”, një grupim i aleatëve kryesorë të Ukrainës, që bashkërendojnë mbështetjen për Kievin në përballjen me agresionin rus.

Deklarata e Tuskut pasqyron shqetësimin e disa vendeve evropiane për afrimin dhe komunikimin publik të Trumpit me Vladimir Putinin, veçanërisht në një moment kur lufta në Ukrainë mbetet në qendër të diskutimeve të sigurisë evropiane.