Policia e Tiranës ka sekuestruar 12.1 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa, në trajtë xhelatinoze, e dyshuar se ishte përgatitur për t’u shitur në Shqipëri.
Në pranga ka rënë Mariglen Vata, ndërsa është shpallur në kërkim 22-vjeçari Flavio Ismalaj, të dy banues në Paskuqan.
Sipas policisë, ngjarja është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm, në autostradën Tiranë-Elbasan.
Gjatë një kontrolli, Ismalaj, i cili drejtonte një automjet, nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar, ka vijuar lëvizjen me shpejtësi dhe më pas ka braktisur makinën, duke u larguar.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se lëvizjet e automjetit të tij monitoroheshin dhe siguroheshin nga një tjetër automjet, me drejtues Mariglen Vatën, i cili u kap nga shërbimet e policisë.
Gjatë kontrollit në makinën e braktisur nga 22-vjeçari u gjetën 12.1 kilogramë kanabis në trajtë xhelatinoze. Ndërkohë, në banesën e të arrestuarit u zbulua edhe një sasi e dyshuar kokaine.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lëndët narkotike, dy automjetet dhe tre telefona celularë.














