Antonio Conte ka rrëfyer prapaskenat e periudhës së tij te Interi, duke shpjeguar arsyet që e çuan drejt largimit nga klubi zikaltër, vetëm pak kohë pasi kishte fituar titullin kampion të Italisë.
Në një intervistë të gjatë për “Cronache di Spogliatoio”, trajneri italian u ndal te momenti kur u emërua në krye të Interit nga presidenti Zhang dhe drejtuesi Beppe Marotta, si dhe te vendimi për t’u larguar pas dy sezonesh në stolin zikaltër.
Conte kujtoi se objektivi që i ishte paraqitur në fillim ishte i qartë: t’i jepte fund dominimit të Juventusit në futbollin italian dhe ta rikthente Interin te trofetë.
“Marotta dhe Zhang erdhën tek unë dhe më thanë: ‘Duam që të na rikthesh te fitorja. Nuk kemi fituar prej dhjetë vitesh dhe duam t’i japim fund dominimit të Juventusit në Itali, por edhe të bëjmë një paraqitje dinjitoze në arenën ndërkombëtare’. Objektivi i klubit ishte i qartë dhe kështu nisëm një rrugëtim së bashku”, tregoi Conte.
Megjithatë, sipas tij, planet ndryshuan pas fitimit të titullit kampion. Trajneri zbuloi se në një takim të zhvilluar menjëherë pas triumfit në Serie A, iu bë e ditur se klubi mund të nxirrte në shitje pothuajse të gjithë lojtarët gjatë verës.
“Ika nga Interi sepse sapo kishim fituar titullin dhe zhvilluam një mbledhje ku më thanë se praktikisht të gjithë futbollistët mund të shiteshin gjatë verës. Marrëveshja në fillim ishte ndryshe”, deklaroi ai.
Conte shpjegoi se ideja fillestare nuk ishte vetëm të rrëzonin dominimin e Juventusit, por edhe të ndërtonin një skuadër të qëndrueshme, e cila do të ishte në gjendje të konkurronte në nivelet më të larta të futbollit evropian.
“Plani ishte që të ndërtonim diçka, t’i jepnim fund dominimit të Juventusit dhe më pas të krijonim një strukturë të fortë, që të zgjaste në kohë dhe të na bënte konkurrues edhe në Evropë. Kur angazhohesh me një klub dhe me një tifozëri, angazhohesh edhe me njerëzit që e mbështesin atë”, përfundoi trajneri italian.
