Pas Arda Guler, vjen radha e Tchouamenit, kohë rinovimesh te Reali i Madridit Përfaqësuesit evropianë në Këshillin e FIFA-s kanë ashpërsuar tonin e kërkesave të tyre ndaj institucionit të drejtuar nga Gianni Infantino. Në një letër të datës 16 nëntor, drejtuar Sekretariatit të Përgjithshëm, tetë anëtarët denoncojnë faktin se ende nuk kanë marrë përgjigje për pyetjet që kanë parashtruar më 19 dhe 23 tetor, si dhe as dokumentacionin që kishin kërkuar në atë kohë.
‘Deri më sot, FIFA nuk i është përgjigjur asnjërës prej këtyre pyetjeve. Gjithashtu, nuk ka vënë në dispozicion asnjë nga dokumentet e kërkuara dhe as nuk ka bërë të ditur se kur parashikon t’i dorëzojë ato’-thuhet në letër. Kjo kërkesë e rikthen në qendër të vëmendjes mungesën e transparencës nga ana e institucionit, veçanërisht në lidhje me projektin FIFA Entreprise (FFE), nismën e dështuar për komercializimin e të drejtave të Kupës së Botës.
Nënshkruesit e letrës, mes të cilëve edhe presidenti i UEFA dhe zëvendëspresidenti i FIFA, Aleksander Ceferin, vënë në pikëpyetje edhe ofertën e këtij institucioni për t’u lejuar shqyrtimin e një pjese të dokumentacionit. Sipas tyre, qasja do të kufizohej vetëm në disa “dokumente kyçe” që lidhen me projektin FFE, të cilat ende nuk janë specifikuar, dhe do t’u nënshtrohej “protokolleve të rrepta të shqyrtimit”, për të cilat gjithashtu nuk kanë marrë asnjë informacion.
Tetë përfaqësuesit kujtojnë se statusi i tyre si anëtarë të Këshillit u njeh të drejta dhe u ngarkon përgjegjësi, si në bazë të rregulloreve të FIFA-s, ashtu edhe në përputhje me legjislacionin zviceran. Për këtë arsye, ata vlerësojnë se kanë nevojë të kenë akses në dokumentet dhe materialet përkatëse, në mënyrë që të përmbushin siç duhet detyrimet e tyre. Përpara se të organizojnë një udhëtim drejt Zyrihut për të shqyrtuar dokumentacionin, ata i kërkojnë FIFA-s të saktësojë se cilat dosje do të vihen në dispozicion, nëse do të kenë mundësi të konsultojnë të gjithë informacionin që lidhet me çështjet e ngritura dhe cilat do të jenë kushtet e aksesit. Gjithashtu, kërkojnë një shpjegim për arsyet që e kanë shtyrë institucionin të vendosë këto kufizime.
‘Jemi plotësisht të vetëdijshëm për detyrimet tona fiduciare ndaj FIFA dhe për përgjegjësinë që kemi për të vepruar në interesin më të mirë të institucionit dhe të anëtarëve të tij. Pikërisht për këtë arsye kemi parashtruar pyetjet tona dhe kemi kërkuar jo vetëm përgjigje, por edhe akses në dokumentacionin përkatës-theksojnë ata.
Letra mbyllet me një mesazh të drejtpërdrejtë drejtuar drejtuesve më të lartë të institucionit. ‘Në fund të fundit, çështja është nëse presidenti dhe administrata e FIFA e njohin përgjegjësinë e tyre përpara Këshillit’-paralajmërojnë ata. Gjithashtu, nënshkruesit e letrës e bëjnë të qartë se shqyrtimi i dokumenteve nuk do të nënkuptojë heqjen dorë nga e drejta për të kërkuar këtë informacion përmes procedurave gjyqësore aktuale apo të ardhshme në Shtetet e Bashkuara. Në fund, tetë nënshkruesit i kanë dërguar një kopje të letrës të gjithë anëtarëve të Këshillit të FIFA-s.
Top Channel