Bllokohet për shtatë orë rruga dytësore Tiranë-Durrës, ja segmenti ku nuk do të lejohet qarkullimi
Qarkullimi i automjeteve në rrugën dytësore Tiranë-Durrës do të ndërpritet përkohësisht gjatë orëve të natës, për shkak të punimeve në kuadër të zgjerimit të superstradës.
Sipas njoftimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, bllokimi do të nisë sot, më 19 nëntor, në orën 22:00 dhe do të vijojë deri në orën 05:00 të mëngjesit të së premtes, më 20 nëntor.
Ndërprerja do të prekë segmentin nga Mbikalimi i Kamzës deri te Mbikalimi i Kasharit, në rrugën dytësore, në krahun e djathtë të aksit Kamëz-Kashar.
Shkak për këtë kufizim janë bërë punimet për montimin e trarëve të mbikalimit në Nyjen e Laknasit, pjesë e fazës së tretë të projektit për zgjerimin e superstradës Tiranë-Durrës.
Autoritetet bëjnë me dije se në zonën e punimeve do të vendoset sinjalistikë e përkohshme për orientimin e drejtuesve të mjeteve. Gjithashtu, qytetarëve u kërkohet të planifikojnë paraprakisht itinerarin, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e personelit që do të menaxhojë trafikun.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



