Rike Roçi, e cila u bë e njohur fillimisht përmes pjesëmarrjes në “Big Brother Albania 6”, duket se ka zgjedhur të ndërtojë një profil profesional përtej famës që i solli reality show.
Pas vëmendjes së madhe mediatike gjatë Europianit të vitit 2016, ku fotografitë e saj në tribunat e stadiumit u bënë virale, ajo i është përkushtuar edhe botës së kinematografisë, duke u angazhuar si producente.
Pikërisht gjatë një interviste në emisionin “Takohemi n’Vizion”, përballë Fjodora Fjorës, Roçi ka ndarë mendimin e saj për një fenomen që, sipas saj, po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm në televizionin shqiptar: dëshirën e personazheve të njohur nga reality show-t për t’u bërë moderatore.
Ajo nuk i ka kursyer kritikat ndaj atyre që synojnë të drejtojnë emisione televizive pa pasur, sipas saj, përgatitjen dhe aftësitë e nevojshme për këtë profesion.
“Po, se kam parë që duan të bëhen të gjithë moderatorë, edhe kur nuk dinë të flasin. Edhe kur vijnë nga Italia dhe mezi flasin. Në film je me regjistrim, ke një regjisor dhe, edhe nëse e thua një fjalë gabim, e përsërit sërish. Duhet të jesh shumë e përgatitur për të bërë moderatoren. Dhe unë e gjej veten më shumë te filmi”, u shpreh Roçi.
Duke folur për rrugëtimin e saj profesional, Rike tregoi se ka preferuar të investojë në formimin e saj dhe të ndjekë një drejtim të caktuar në karrierë, duke iu përkushtuar fushës së produksionit dhe kinematografisë.
Në të njëjtën intervistë, ajo u ndal edhe te paragjykimet që, sipas saj, shoqërojnë vajzat me një imazh tërheqës, duke bërë që përkushtimi i tyre profesional të mos merret gjithmonë seriozisht.
“Në Shqipëri, të jesh një vajzë bionde simpatike… ka pak paragjykime, nuk ta marrin shumë seriozisht punën. Njerëzit që më rrinë afër e dinë sa shumë i përkushtohem unë punës”, deklaroi ajo.
Përveç karrierës, Roçi foli edhe për jetën sentimentale, duke treguar se nuk dëshiron të nxitohet drejt martesës, ndërsa ëndërron të bëhet nënë e dy fëmijëve. Ajo ndau gjithashtu qëndrimin e saj për tradhtinë, duke pranuar se ka falur në të kaluarën, por pa harruar atë që ka ndodhur.
“Kur je e dashuruar, ti ke një perde. S’jam e penduar për asgjë që kam bërë. Unë fal, por nuk harroj kurrë”, u shpreh Rike Roçi.










