Nga Harry Potter te Emily in Paris, 10 serialet që pritet të shënojnë muajin dhjetor

Muaji dhjetor sjell një kalendar të pasur me premiera televizive, ku përfshihen histori magjike, drama romantike, thrillerë politikë dhe mistere kriminale. Mes produksioneve më të shumëpritura është adaptimi i ri televiziv i Harry Potter, rikthimi i Only Murders in the Building dhe një version i ri i romanit të famshëm të Jane Austen, Pride and Prejudice.

Sipas përzgjedhjes së BBC, këto janë 10 serialet që pritet të publikohen gjatë dhjetorit dhe që ia vlen të mbahen në listën e shikimit.


1. Trinity


Pas suksesit të serialeve Line of Duty dhe Bodyguard, krijuesi Jed Mercurio vjen me një thriller të ri politik, ku ngjarjet zhvillohen rreth një nëndetëseje bërthamore amerikane.

Gugu Mbatha-Raw interpreton Katherine Decker, zëvendëskomandante e nëndetëses, e cila duhet të përballet me vendime të vështira dhe me një plan që ngjall dyshime. Në kast është edhe Richard Madden, në rolin e Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Webb Preston.

Seriali premton tension, intriga politike dhe përplasje mes personazheve që duhet të vendosin nëse po përpiqen të shpëtojnë paqen apo po e vënë atë në rrezik.

Premiera: 1 dhjetor, Netflix.

2. Harry Potter and the Philosopher's Stone

Bota magjike e Harry Potter rikthehet në ekran, këtë herë me një serial të ri nga HBO, që synon të sjellë një adaptim më të detajuar të shtatë romaneve të J.K. Rowling.

Sezoni i parë ndjek mbërritjen e Harry-t në Hogwarts, ku ai njeh Ron Weasley dhe Hermione Granger, si dhe përballet për herë të parë me botën e magjisë. Rolin kryesor e interpreton Dominic McLaughlin, ndërsa Alastair Stout dhe Arabella Stanton luajnë përkatësisht Ron dhe Hermione.

Në kast janë edhe John Lithgow si Dumbledore, Janet McTeer si Minerva McGonagall, Nick Frost si Hagrid dhe Paapa Essiedu në rolin e Severus Snape.

Edhe Daniel Radcliffe, aktori që e bëri të famshëm personazhin në filmat e mëparshëm, e ka mirëpritur këtë version të ri, duke thënë se është i lumtur që brezi i ri do të ketë mundësinë të zbulojë historinë përmes aktorëve të tjerë.

Premiera: 25 dhjetor, HBO dhe HBO Max.

3. Pride and Prejudice

Romani i famshëm i Jane Austen rikthehet me një adaptim të ri nga Netflix, ku personazhet e njohura marrin jetë përmes një kasti të ri aktorësh.

Emma Corrin interpreton Elizabeth Bennet, ndërsa Jack Lowden merr rolin e Darcy-t. Në kast janë edhe Olivia Colman dhe Rufus Sewell, të cilët luajnë prindërit e motrave Bennet.

Skenari është shkruar nga autorja Dolly Alderton, e cila ka vendosur t'i japë më shumë hapësirë edhe personazhit të zonjës Bennet, duke e paraqitur atë jo thjesht si një nënë që shqetësohet për martesat e vajzave, por si një grua që përpiqet t'u sigurojë atyre një të ardhme të qëndrueshme.

Një tjetër element interesant është marrëdhënia mes Elizabeth dhe Wickham, personazhi që në këtë version do të përpiqet ta fitojë vëmendjen e saj.

Premiera: 3 dhjetor, Netflix.

4. Only Murders in the Building

Charles, Oliver dhe Mabel rikthehen me një tjetër hetim, këtë herë larg ndërtesës në Manhattan ku kanë ndodhur misteret e sezoneve të mëparshme.

Treshja e interpretuar nga Steve Martin, Martin Short dhe Selena Gomez do të përpiqet të zbulojë se çfarë ndodhi me Cinda Canning, rivales së tyre në botën e podkasteve, e cila u gjet e vdekur në fund të sezonit të kaluar.

Hetimet i çojnë protagonistët në Londër, ku do të përballen me personazhe të rinj dhe situata të papritura. Sezoni i ri sjell gjithashtu një kast të pasur aktorësh të njohur, mes tyre Meryl Streep, Olivia Colman, David Tennant, Martin Freeman dhe Richard E. Grant.

Premiera: 8 dhjetor, Hulu në SHBA dhe Disney+ në Mbretërinë e Bashkuar.

5. The Murder of JonBenét Ramsey


Një prej rasteve më të njohura të krimit të pazgjidhur në SHBA rikthehet në ekran përmes një seriali të ri, me protagonistë Melissa McCarthy dhe Clive Owen.

Historia i referohet vrasjes së JonBenét Ramsey, vajzës gjashtëvjeçare që u gjet e pajetë në bodrumin e shtëpisë së familjes së saj në Colorado, në vitin 1996.

Rasti mori vëmendje të jashtëzakonshme mediatike për shkak të rrethanave misterioze, një shënimi të dyshuar për rrëmbim dhe pyetjeve që mbetën pa përgjigje për dekada.

Melissa McCarthy interpreton nënën e vajzës, Patsy Ramsey, ndërsa Clive Owen luan të atin, John Ramsey. Seriali do të rikthejë në vëmendje hetimet dhe ngjarjet që e kthyen këtë çështje në një prej historive më të diskutuara të krimit të vërtetë.

Premiera: 10 dhjetor, Netflix.

6. The Other Bennet Sister


Adhuruesit e Jane Austen do të kenë një tjetër arsye për të qëndruar para ekranit. The Other Bennet Sister rikthehet me një special festiv prej tri pjesësh, duke vazhduar historinë e Mary Bennet, motrës që shpesh mbetet në hije në romanin Pride and Prejudice.

E interpretuar nga Ella Bruccoleri, Mary përpiqet të gjejë vendin e saj në një shoqëri ku gratë përballen me pritshmëri të forta për martesën dhe jetën familjare.

Ngjarjet zhvillohen një vit pas martesës së saj me Tom Hayward, të interpretuar nga Donal Finn. Edhe pse çifti është i dashuruar, Mary e ka të vështirë të përshtatet me rolin tradicional të një bashkëshorteje dhe të heqë dorë nga pavarësia e saj.

Në kast rikthehen gjithashtu Ruth Jones dhe Laurie Davidson.

Premiera: dhjetor, BBC në Mbretërinë e Bashkuar dhe BritBox në SHBA.

7. Unaccustomed Earth


Bazuar në librin me tregime të shkurtra të shkrimtares Jhumpa Lahiri, ky serial dramatik trajton marrëdhëniet familjare, dashuritë e së kaluarës dhe sekretet që ndikojnë në jetën e njerëzve.

Freida Pinto interpreton Parul Chaudhury, një grua që pas diagnostikimit me kancer largohet nga Mumbai dhe rikthehet në Cambridge, Massachusetts, së bashku me bashkëshortin dhe djalin e saj adoleshent.

Ky rikthim e vendos përballë kujtimeve të vjetra, por edhe një dashurie të së kaluarës, Amit Mukherjee, të interpretuar nga Siddharth. Rilidhja e tyre sjell ndryshime në jetën e të dy familjeve dhe hap një sërë konfliktesh emocionale.

Seriali trajton gjithashtu marrëdhëniet mes prindërve dhe fëmijëve, veçanërisht mënyrën se si fëmijët përballen me sekretet e të rriturve.

Premiera: 17 dhjetor, Netflix.

8. Frisco King

Samuel L. Jackson bëhet pjesë e një tjetër projekti të krijuesit Taylor Sheridan, këtë herë në një komedi kriminale që lidhet me universin e serialit Tulsa King.

Aktori interpreton Russell Lee Washington, një ish-vrasës mafioz që u prezantua fillimisht në Tulsa King. Pasi refuzon të vrasë personazhin e Sylvester Stallone, ai vendos të nisë një kapitull të ri dhe të krijojë operacionin e tij kriminal në Frisco, Teksas.

Rreth vetes mbledh një grup personazhesh të pazakontë, me të cilët përpiqet të ndërtojë një organizatë të re.

Sylvester Stallone do të shfaqet si i ftuar në disa episode, ndërsa Jackson mban rolin kryesor të kësaj historie.

Premiera: 18 dhjetor, Paramount+.

9. Emily in Paris

Emily Cooper rikthehet për sezonin e gjashtë dhe të fundit të serialit të njohur, i cili do të sjellë vendime të rëndësishme për të ardhmen e personazhit kryesor.

E interpretuar nga Lily Collins, Emily do të përballet me dilema për jetën dhe të ardhmen e saj në Paris. Përpara se të marrë një vendim përfundimtar, historia e çon në Greqi dhe Monako, ndërsa Gabriel, një prej personave më të rëndësishëm në jetën e saj sentimentale, rikthehet sërish.

Edhe shoqja e saj më e mirë, Mindy, e interpretuar nga Ashley Park, do të përballet me zgjedhje të rëndësishme në jetën personale.

Në kast rikthehet Philippine Leroy-Beaulieu në rolin e Sylvie, ndërsa Minnie Driver i bashkohet serialit si Princesha Jane.

Premiera: 24 dhjetor, Netflix.

10. Call the Midwife: Sisters in Arms


Universi i Call the Midwife zgjerohet me një histori paraprirëse prej tri pjesësh, e cila i çon shikuesit në vitet e Luftës së Dytë Botërore.

Ngjarjet zhvillohen në të njëjtën lagje të Londrës ku punojnë mamitë e serialit origjinal, por këtë herë në një periudhë shumë më të vështirë, nën kërcënimin e bombardimeve gjermane dhe mungesës së furnizimeve bazë.

Seriali rikthehet te vitet e para të disa personazheve të njohura, përfshirë Motrën Julienne, Motrën Monica-Joan dhe Motrën Evangeline, të cilat interpretohen nga aktore të reja.

Jenny Agutter, e njohur për rolin e Motrës Julienne në serialin origjinal, do të jetë narratorja e kësaj historie. Në qendër do të jenë sakrificat, lindjet, humbjet dhe guximi i grave që punonin në një kohë kur çdo ditë sillte pasiguri të reja. /Telegrafi/