Qarkullimi i mjeteve në rrugën dytësore, në segmentin Mbikalimi i Kamzës–Mbikalimi i Kasharit, krahu i djathtë, do të bllokohet përkohësisht në të dyja senset e lëvizjes.
Sipas njoftimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), kufizimi do të bëhet në kuadër të projektit “Zgjerimi i Superstradës Tiranë–Durrës, Faza III”, ku po vijojnë punimet për montimin e trarëve të mbikalimit të Nyjes së Laknasit.
Ndërhyrja do të nisë sot, më 19 nëntor, dhe do të vijojë deri më 20 nëntor 2026. Bllokimi do të jetë në fuqi gjatë orarit 22:00–05:00.
Kontraktori ka marrë masat për menaxhimin e trafikut, vendosjen e sinjalistikës së përkohshme dhe garantimin e sigurisë në zonën ku zhvillohen punimet.
Drejtuesve të mjeteve u kërkohet të planifikojnë paraprakisht itinerarin, të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë sinjalistikën e përkohshme, si dhe udhëzimet e personelit përgjegjës për menaxhimin e trafikut.













