Skandali me ngarkesën prej 27 tonësh mish derri i pacertifikuar, i importuar nga Brazili nga kompania “King-Mit”, me certifikata dhe dokumente të dyshuara si të falsifikuara, ekspozon jo vetëm AKU-në për mosasgjesimin e mishit (edhe pse AKU pretendon të kundërtën), por implikon në krim ushqimor pikësëpari Pikën e Inspektimit Kufitar në Portin e Durrësit dhe Doganën e Fierit, hallka të cilat duhet të kishin ndaluar ngarkesën dhe sinjalizuar organet kompetente. Vetë AKU-ja, e drejtuar nga Blerina Gjylameti, përmes një deklarate sqaruese, thekson se Pika e Inspektimit Kufitar në Portin e Durrësit dhe Doganën e Fieri nuk duhet të kishin lejuar kalimin e mishit të derrit, me qëllim për t’u hedhur në treg.
“Në datë 6.10.2026, në Pikën e Inspektimit Kufitar (PIK) Durrës, u paraqit Dokumenti Veterinar për Import dhe Tranzit (DVIT) nr. 0028271 për 27.000 kg shpatull derri të ngrirë, me eksportues “BMG Foods” (Brazil) dhe importues “KING-MIT”, shoqëruar me certifikatën veterinare nr. IO-00427035/5298/26, datë 04.08.2026. Më 07.10.2026 inspektori i PIK Durrës nënshkroi pranimin e ngarkesës për treg të brendshëm dhe e pasqyroi si “të kënaqshëm” kontrollin dokumentar, të identitetit dhe atë fizik. Po atë ditë malli u zhdoganua në Degën e Doganës Fier me deklaratën IM4 nr. R 9694.
Më 8.10.2026, pra brenda 24 orëve, Sektori i Koordinimit dhe Kontrollit në Pikat e Inspektimit Kufitar në Drejtorinë e Përgjithshme të AKU-së, gjatë verifikimit të raportimeve ditore të PIK-ut, konstatoi se kjo ngarkesë nuk duhej të kishte kaluar. Stabilimenti prodhues SIF 5298 nuk figuronte në listat e stabilimenteve të miratuara. Kodi i autenticitetit i shtypur mbi certifikatën, kur u verifikua në sistemin zyrtar të autoritetit brazilian, i përkiste një certifikate tjetër, nr. IO-00427035/Ç-MGA/26, me destinacion Kosovën dhe me periudhë tjetër prodhimi“, thuhet në reagimin e AKU.

Kompania eksport-import të mishit, King-Mit, me vendndodhje në Fier, është themeluar në vitin 2002. Administratori dhe pronari real i kompanisë është Kujtim Metaj, 61 vjeç. Pronare në letra e kompanisë rezulton zonja Esmeralda Metaj. Edhe pse për shumë vite rezulton pa bilance, kompania deklaron deri në 500 mijë euro ndarje dividenti (fitim) në vit.

Skandali i mishit të skaduar ngre dyshime të forta se Kujtim Metaj ka korruptuar përfaqësues të Pikës së Inspektimit Kufitar në Portin e Durrësit dhe Doganës së Fierit në këmbim të kalimit të ngarkesës së paligjshme, me qëllim fitimi dhe në dëm të shëndetit të popullatës. Nuk bëhet fjalë vetëm për një thyerje besimi dhe tradhti nga këto institucione, por për veprime me pasojë në shëndetin e konsumatorëve.
Ndërkaq nuk dihet se deri në çfarë niveli i ka korruptuar Kujtim Metaj AKU-në dhe Doganën e Durrësit. Ka arritur të blejë vetëm ata që firmosin apo skema e korruptimit shkon deri tek drejtuesit? Kryetari i Degës Doganore Fier është Eridjol Xhafa, i emëruar që me 3 mars 2026, ndërsa AKU-ja drejtohet nga ish deputetja e PS-së, Blerina Gjylameti. Pika e inspektimit në Durrës është derivat i AKU-së.

Kompania e eksport-import të mishit, King-Mit, dyshohet se ka futur edhe ngarkesa të tjera në Shqipëri, përmes Portit të Durrësit, me mish jashtë standarteve dhe me letra false. Në gusht të vitit 2019, Kujtim Metaj u kap duke futur 27 ton fileto pule nga Brazili në Shqipëri, me letra false dhe i papërshtatshëm për konsum njerëzor. Metaj i shpëtoi ndëshkimit ligjor, ndërsa mishi u pretendua se është kthyer mbrapsht.

Ashtu siç kapeshin disa ngarkesa me kokainë mes banenave të Trifon Muratajt të Bana King, edhe ngarkesat me mish të skaduar të Kujtim Metajt, të kapura nga AKU-ja, dyshohet se janë vetëm maja e ajsbergut. Po a konsiston veprimtarie e kompanisë vetëm në krime ushqimore apo shtrihet edhe tek trafiku i kokainës?