Lehtësi fiskale për sponsorët/ Projektligji për sponsorizimet, zbritje tatimore deri në 30% për kulturën dhe sportin Pas rreth dy orësh ndërhyrjeje me mjete të rënda, është rikthyer qarkullimi në aksin rrugor Qafë e Buallit–Kraste, në Bulqizë. Segmenti u bllokua për rreth dy orë si pasojë e rrëshqitjes së një masivi shkëmbor, i cili zuri rrugën duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve.
Fatmirësisht, nga ky incident nuk raportohet për aksidente apo persona të lënduar. Pas ndërhyrjes së mjeteve të rënda dhe largimit të gurëve nga trupi i rrugës, qarkullimi është normalizuar.
Por ngjarja e sotme rikthen në vëmendje problematikat e këtij aksi rrugor, ku prej kohësh pritet përfundimi i investimit për zgjerimin dhe asfaltimin e tij.
Punimet në rrugën Qafë e Buallit–Kraste nisën rreth dy vite më parë, por projekti mbeti përgjysmë, duke lënë këtë rrugë të pa përfunduar. Një situatë që vijon të shqetësojë banorët dhe drejtuesit e automjeteve, të cilët përballen me vështirësi dhe rreziqe gjatë lëvizjes në këtë aks.
Rreth një muaj më parë, emisioni investigativ Fiks Fare denoncoi problematikat dhe shkeljet e konstatuara në procedurën e tenderimit të këtij projekti. Pas investigimit, institucionet përgjegjëse ia kaluan njëra-tjetrës përgjegjësinë, ndërsa si argument për mosrealizimin e plotë të investimit u përmend nevoja për një fond shtesë financiar, pasi vlera e parashikuar në projekt nuk ishte e mjaftueshme për përfundimin e punimeve.
Pas denoncimit në Fiks Fare, prej disa ditësh në këtë segment kanë nisur sërish punimet. Megjithatë, ndërhyrjet po vijojnë me ritme të ngadalta, ndërsa ende nuk dihet se kur do të përfundojë plotësisht ky investim.
Ndërkohë, rrëshqitja e sotme e masivit shkëmbor është një tjetër sinjal për rrezikun që paraqet ky segment, veçanërisht në kushtet kur punimet nuk kanë përfunduar dhe infrastruktura vijon të ketë problematika.
Banorët dhe përdoruesit e këtij aksi presin që institucionet përgjegjëse të mos mjaftohen vetëm me ndërhyrje të përkohshme, por të garantojnë përfundimin e projektit dhe sigurinë e qarkullimit.
Top Channel