PDK-ja është pajtuar me kryeministrin Albin Kurti që të nisë një iniciativë të re ligjore për Specialen, duke lënë pas procedurën për rimiratimin e ligjit që ishte votuar në dy lexime në Kuvend gjatë tetorit.

Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, të enjten, pas takimit me Kurtin, ku ishte edhe ish-kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza, bëri të ditur se palët janë pajtuar për përmbajtjen e ligjit dhe ndryshimet që duhet t’i bëhen, ndërsa dallimet e deritanishme kishin të bënin me procedurën parlamentare.

Sipas Çitakut, javën e ardhshme pritet të nisë procedimi i nismës së re, e cila do ta ketë për bazë tekstin e miratuar në dy lexime, por me ndryshime për ta forcuar juridikisht dhe për ta bërë më të zbatueshëm në praktikë.

Ndërkohë, kryeministri Kurti ka bërë të ditur në Kuvend se gjatë javës së ardhshme pritet edhe drafti i parë i strategjisë shtetërore për procesin në Dhomat e Specializuara, si dhe drafti i parë i një ligji të ri për këtë gjykatë.

Drafti i strategjisë do të përgatitet nga Grupi Punues Shtetëror, ku janë të përfaqësuara institucionet relevante, partitë politike parlamentare dhe ekspertë juridikë. Ndërsa draftligji i ri pritet të hartohet nga ekspertët juridikë, për të cilin Kurti tha se duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

“Ne presim që në javën e ardhshme grupi punues për strategjinë shtetërore përkatëse ta sjell draftin e parë”, tha Kurti, duke shtuar se në të njëjtën periudhë pritet edhe drafti i ri i ligjit për Dhomat e Specializuara.

Ai tha se nuk mjafton qëllimi i mirë, por nevojitet edhe rezultat konkret, në mënyrë që ligji të ketë efekt në praktikë dhe të kontribuojë në drejtësi.

Për këtë nismë, qytetarët kishin protestuar 21 ditë radhazi, duke kërkuar miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Specialen. Ligji ishte votuar në dy lexime në Kuvend, por më pas presidentja Justina Shiroka-Pula e kishte kthyer atë, duke e rikthyer procesin në Kuvend me kërkesë të PDK-së.

Më pastaj, PDK-ja kishte kërkuar rimiratimin e ligjit dhe që ndryshimet e nevojshme të bëheshin përmes amendamentimeve, por tashmë është pajtuar me Kurtin për një nismë të re ligjore, pas javësh të deklaratave për vazhdimin e procedurës së mëparshme.

Nisma e PDK-së kishte paraparë ndryshime të rëndësishme në mandatin e Speciales, përfshirë ngushtimin e juridiksionit penal, kohor e territorial, kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet, mbajtjen e dënimeve në Kosovë, mundësinë e faljes presidenciale dhe transferimin në sistemin gjyqësor vendor të rasteve që nuk do të përfshiheshin më në juridiksionin e saj.