Selia e fondit sovran të pasurisë së Arabisë Saudite u dëmtua nga një sulm që shënjestroi zemrën e distriktit financiar të Riadit të enjten, ndërsa rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani, po kryejnë sulme pothuajse të përditshme me raketa dhe dronë ndaj kryeqytetit.
Dëmtime u vunë re në disa kate të mesme të kullës 80-katëshe të Fondit të Investimeve Publike (PIF). Rrokaqielli është ndërtesa më e lartë në kryeqytet dhe një objektiv me rëndësi të madhe simbolike. Ai strehon zyrat e PIF-it, fondit me vlerë gati 1 trilion dollarë, i cili drejtohet nga Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman.
Nuk pati asnjë konfirmim zyrtar për sulmin dhe asnjë pretendim përgjegjësie nga ana e Huthëve.
Menjëherë pas sulmit, zëdhënësi i ushtrisë saudite, gjeneralmajor Turki al-Malki, deklaroi se sistemet e mbrojtjes ajrore të mbretërisë kishin “neutralizuar” një kërcënim me raketa dhe se mbetjet e sulmit kishin shkaktuar dëme materiale, pa specifikuar vendndodhjen. Gjenerali al-Malki tha se po kryhej një vlerësim fillestar i pasojave.
Pasi banorëve të kryeqytetit iu dërgua një njoftim në telefonat e tyre pak para orës 5 të mëngjesit të së enjtes, një shpërthim i fuqishëm u dëgjua në të gjithë Riadin. Ky ishte sulmi i fundit që tronditi kryeqytetin, ndërsa militantët Huthi në Jemen po përshkallëzojnë një konflikt me mbretërinë që zgjat prej më shumë se një dekade.
Gjatë tre muajve të fundit, rebelët kanë shënjestruar gjithashtu infrastrukturën e naftës në të gjithë Arabinë Saudite, ndërsa kanë nisur një ofensivë kundër qeverisë së Jemenit, e mbështetur nga Riadi, shkruan Rt.
Sulmi i së enjtes ishte i dyti që shënjestroi distriktin financiar të Riadit këtë muaj, pas dëmtimit të zyrës së kompanisë shtetërore të naftës Saudi Aramco në kryeqytet, 11 ditë më parë. Në atë sulm nuk pati të lënduar, pasi shumica e zyrave në këtë zonë ishin bosh, me punonjësit që prej javësh po punonin nga shtëpia për shkak të sulmeve.
Sulmet e detyruan gjithashtu autoritetet saudite të mbyllnin aeroportin ndërkombëtar të Riadit, pasi ai u shënjestrua me raketa dhe dronë 20 herë brenda 10 ditëve në fillim të tetorit. Si pasojë, të paktën 17 persona humbën jetën dhe më shumë se 300 të tjerë u plagosën. Aeroporti u rihap pjesërisht në fund të muajit, ndërsa trafiku ajror po rikthehet gradualisht në nivelet normale.
Megjithatë, sulmet e kanë detyruar mbretërinë të anulojë ose shtyjë një sërë aktivitetesh, përfshirë konferencën e saj kryesore ekonomike, të njohur si “Davosi në Shkretëtirë”. Kjo po minon planet ambicioze të Princit Mohammed për modernizimin e mbretërisë dhe shndërrimin e saj në një qendër financiare, tregtare dhe turistike.
Arabia Saudite udhëhoqi një koalicion që ndërhyri në luftën civile të Jemenit në vitin 2015 për të luftuar Huthët, pasi rebelët morën kontrollin e Sanaas dhe rrëzuan qeverinë e njohur ndërkombëtarisht.
Palët ndërluftuese ranë dakord për një armëpushim në vitin 2022, por konflikti rifilloi në korrik, pasi mbretëria ndërmori një sulm ndaj aeroportit të Sanaas për të parandaluar uljen në kryeqytetin jemenas të një avioni iranian që transportonte anëtarë të Huthëve. Më pas, Huthët shpallën një bllokadë ndaj portit të mbretërisë në Detin e Kuq dhe nisën sulmet kundër cisternave saudite dhe infrastrukturës së naftës.
Që atëherë, Huthët kanë shtuar sulmet e tyre në Arabinë Saudite dhe kanë ndërmarrë një ofensivë përgjatë bregdetit të Jemenit në Detin e Kuq, duke marrë nën kontroll Ngushticën e Bab al-Mandebit, një rrugë strategjike për transportin detar.
Ekspertët thonë se Huthët po ndjekin axhendën e tyre, ndërsa kërkojnë lëshime nga Arabia Saudite, por njëkohësisht po veprojnë edhe në interes të Iranit, i cili synon të ruajë presionin mbi çmimet globale të energjisë në përballjen e tij me SHBA-në.