Demenca dhe Alzheimeri nuk vijnë surprizë, ato japin shenjat e tyre përgjatë viteve. Të ruash kujtesën është një proces i cili lidhet me shumë faktorë. Naturopati Altin Joka ka folur në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, në mënyrë të detajuar për shkaqet, por edhe për mënyrat se si duhet të jetojmë për të pasur një memorie afatgjatë.

“Të gjithë duhet të mendojmë për një pyetje: A po e plakim trurin nga mënyra se si jetojmë? Po ta vini re, kemi shumë të moshuar 80-vjeçarë që mbajnë mend ngjarje dhe data, ashtu siç kemi edhe 18-vjeçarë që harrojnë pse kanë hyrë në kuzhinë dhe nuk kujtojnë për çfarë. 45 për qind e të gjitha rasteve kur është humbur kujtesa kanë ndodhur për shkak të 14 faktorëve. Nëse ne i trajtojmë këta faktorë, sigurisht që do të kujdesemi për trurin dhe kujtesën tonë”, u shpreh Joka.

Ja çfarë duhet të vini re me kujdes:

- Problemet me dëgjimin.

- Problemet me tensionin e lartë.

- Problemet me diabetin dhe aneminë.

- Problemet me kolesterolin.

- Përdorimi i duhanit dhe alkoolit.

- Mungesa e aktivitetit fizik dhe problemet me obezitetin.

- Izolimi social.

- Problemet me zemrën.

- Depresioni.

- Problemet me shikimin.

“Truri ka një sistem, ai është sistemi limfatik, i cili natën modifikon qelizat. Ky është procesi që quhet pastrim i trurit, edhe autofagjia, rigjeneron dhe rregullon. Në vitin 2018 u bë një studim ku u vu re se ata që bënin vallëzim kishin një kujtesë më të mirë se ata që bënin vetëm sport. Ky është një nga proceset më të mira. Edhe leximi është shumë i rëndësishëm. Ata që janë në fillim të Alzheimerit duhet të kenë durim, ndërsa edhe vetë këta persona duhet të lexojnë. Lëvizja është investimi më i mirë” shpjegoi Joka.

Natyropati u ndal edhe tek funksionimi dhe shëndeti i zorrës, i cili sipas tij ka një ndikim shumë të madh në kujtesë dhe përqendrim. Truri është në komunikim të përhershëm me trupin dhe sidomos me zorrën. Aty kalojnë problemet hormonale. Kjo marrëdhënie quhet boshti zorrë-tru. Bakteret në zorrën tonë prodhojnë substanca që krijojnë komunikim me trurin. Një prej tyre është butirati, energjia e zorrës.

Në vitin 2021 është bërë një studim nga Universiteti i Stanfordit, sipas të cilit personat që kanë ndjekur një dietë të balancuar, me ushqime bimore të fermentueshme dhe fibra, kishin memorie shumë të mirë.

Mbështetuni në këto katër parime:

- Ushqeni zorrën me bimë, tërshërë, mollë dhe fara liri.

- Merrni shumëllojshmëri ushqimesh, erëza, fruta, arra dhe perime të ndryshme.

- Konsumoni ushqime të fermentuara dhe kefir, pra probiotikë.

- Trajtoni problemet kronike të tretjes, kapsllëkun, diarrenë dhe intolerancat ushqimore.

 - Kujdesuni për zorrën që të kujdeseni për trurin.

Detoksi i trurit: Cilat janë shenjat që truri ka nevojë të pastrohet?

Ne duhet të largohemi nga teknologjia. Që nga momenti kur gdhihemi e deri sa ngrysemi, jemi me teknologjinë në dorë. Detoksifikimi më i mirë është gjumi. Sistemi limfatik rigjeneron trurin. Nga ana tjetër, janë edhe elementët ushqimorë që ndihmojnë trurin.

- Kujdes me vitaminën B12, e cila është baza e sistemit nervor për mbajtjen e mielinës. Kur ajo mungon, kemi harresë, vështirësi në përqendrim dhe lëkundje të humorit.

- Kujdes me vitaminën D. Ajo merr pjesë në shumë funksione dhe, kur keni mungesë, keni probleme me sistemin nervor.

- Magnezi është minerali që lidhet me nervat, me sinjalet qelizore dhe e ndihmon trurin me energji.

- Vitamina B9, hekuri dhe vitamina B1.

Hipotiroidizmi është një shkak që ngadalëson mendimin dhe përqendrimin. Kur keni probleme me kujtesën, duhen bërë edhe analizat e rezistencës ndaj insulinës. Duhet të shihni edhe mënyrën se si funksionojnë veshkat. Edhe një mëlçi e dhjamosur mund të shfaqë probleme.

Ja ushqimet që po na dëmtojnë trurin:

Produkte si pijet energjike me ëmbëlsues dhe aditivë, miellrat shumë të rafinuar dhe mishrat e përpunuar. Gazeta Jama e Neurologjisë publikoi se personat që u ndoqën për 8 vjet dhe që konsumuan ushqime të shpejta dhe pije energjike kishin 28 për qind më pak kujtesë se ata që nuk i konsumonin.

Sheqeri është ndër armiqtë kryesorë të kujtesës. Ai sjell probleme me diabetin dhe trurin.

Përdorimi i yndyrave të dëmshme shoqërohet me probabilitet më të madh për Alzheimer dhe demencë.

Një dietë e varfër me fibra na shkakton shumë probleme.

Konsumimi i alkoolit dhe duhanit dëmton kujtesën dhe trurin.

Nëse keni kolesterol shumë të lartë, keni inflamacion dhe këtu problemi fillon te mëlçia.

Ushqimet që nuk duhet t'i ndani nga dieta:

- Sardele, salmon i pastër.

- Boronica, manaferra dhe lakër e kuqe.

- Perimet jeshile, brokoli, spinaqi, rukola, lakrat e egra dhe karrotat.

- Arrat dhe farat, bajamet dhe farat e kungullit.

- Vaj ulliri, kakao, avokado dhe çokollatë e zezë.

“Ankthi dhe stresi ndikojnë shumë në sistemin tuaj nervor. Ka shumë bimë që na ndihmojnë në sistemin tonë nervor për sa i përket kujtesës. Aromaterapia hap një derë të kujtesës sonë. Kjo ndodh nëpërmjet nuhatjes, sepse ajo lidhet me trurin. Kryesorja është rozmarina. Vaji i saj ka dhënë rezultate për një përqendrim më të lartë. E dyta është livandoja. Gërshetimi i të dyjave ndikon shumë më mirë. Aroma na kthen në kohë, është një lloj emocioni”, theksoi Joka.

Bimët: Ginkgo biloba është një nga pemët më të mira. E dyta është bima e kujtesës, ndërsa e treta është sherebela. Shafrani me fije është shumë i mirë për problemet e demencës dhe Alzheimerit. Rozmarina është bima e kujtesës dhe përqendrimit.

Kur duhet të shqetësohemi se po harrojmë?

Kur humbasim kujtimet, ky është një problem më i madh. Familjarët duhet të tregohen të kujdesshëm. Duhet të bisedojnë për gjëra të këndshme, t'u japin mundësi të lexojnë dhe t'u afrojnë ngjarjet. Fëmijët duhet të organizojnë ushqimin e tyre. Shumë prej tyre nuk e ndiejnë gëlltitjen e ushqimit dhe oreksin. Duhet të marrin më shumë lëngje dhe proteina, të kenë hidratim më të mirë dhe të dalin sa më shumë në natyrë.