Me vetëm një votë kundër dhe një abstenim, Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjes miratoi aktin normativ që parashikon ndryshime në ligjin për tubimet, duke vendosur kufizime të reja për zhvillimin e protestave dhe masa ndëshkuese për shkelësit. Ndryshimet synojnë të përcaktojnë zona të mbrojtura pranë institucioneve, të forcojnë masat ndaj pjesëmarrësve që shkelin rregullat, si dhe të parandalojnë thirrjet për dhunë të shpërndara përmes rrjeteve sociale.
Zv/ministri i Punëve të Brendshme, Xhemal Qefalia, gjatë prezantimit të nismës në komision, renditi disa prej masave që parashikon akti normativ. “Krijimin e mundësisë që këto kufizime të përkohshme të mbrojnë institucionet. Zona të mbrojtura. Parandalimi i thirrjeve për dhunë në rrjetet sociale. Dokumentimi audiovizual i thirrjeve. Përshkallëzimi i gjobave”, deklaroi Qefalia.
Opozita ka shprehur mbështetje për protestuesit, diskutimet në komision u shoqëruan me pak kundërshtime. I vetmi deputet opozitar që mori fjalën ishte Isuf Çelaj, i cili e cilësoi aktin normativ si një përpjekje të qeverisë për të frenuar protestat përmes sanksioneve financiare. “Qeveria po përdor gjobat e larta me qëllim si mjet frikësimi ndaj qytetarëve. Ne këtë do ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese. Të jeni të sigurt që kjo do të anatemohet. Si kontrolloni rrjetet sociale pa një vendim gjykate? Ndërhyni në jetën private. Qeveria nuk mbahet me masa agresive. Nuk mbahet me zor karrigia”, u shpreh deputeti demokrat.
Drejtori i Rendit Publik, Agron Çeli, paraqiti në komision të dhëna mbi zbatimin e aktit normativ, duke theksuar se masat e ndërmarra kanë ndikuar në uljen e episodeve të dhunës gjatë tubimeve. Sipas tij, është konstatuar gjithashtu një reduktim i numrit të personave të maskuar në protesta. Përveç ndryshimeve në ligjin për tubimet, Komisioni miratoi edhe aktin normativ që parashikon dëmshpërblimin e bizneseve të vogla që kanë pësuar dëme gjatë protestës. Miratimi i këtyre masave rikthen në vëmendje debatin mbi kufirin mes garantimit të rendit dhe sigurisë publike dhe respektimit të së drejtës kushtetuese të qytetarëve për t’u tubuar.
