Janë publikuar pamjet e momentit të ekzekutimit të shqiptarit Luka Beqiraj në Spanjë më 10 nëntor 2026. Beqiraj u vra me armë zjarri në mes të ditës, teksa ndodhej në tarracën e një lokali brenda një kompleksi sportiv në Orihuela Costa, në provincën e Alicantes.
Atentati ndodhi pak para orës 13:00, në ambientet e kompleksit Playa Flamenca Sport Club. Videoja tregon momentin kur autori i afrohet tavolinës ku qëndronte 39-vjeçari nga Vlora dhe hap zjarr në drejtim të tij. Në pamje dallohen edhe personat e tjerë që ndodheshin në tavolinë, të cilët largohen me vrap menjëherë pas të shtënave, në përpjekje për t’i shpëtuar sulmit.
Pas sulmit, autori u largua nga vendngjarja me një monopatinë elektrike, ndërsa 39-vjeçari ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.
Autori vijon të jetë në kërkim, ndërsa mënyra e organizimit dhe ekzekutimit të atentatit ka ngritur dyshime te hetuesit se mund të bëhet fjalë për një vrasje me pagesë dhe larje hesapesh.
Sipas mediave spanjolle, po verifikohen edhe lidhjet e mundshme të ngjarjes me rrjetet e krimit të organizuar që veprojnë në zonat bregdetare të Alicantes dhe Mursias.
Luka Beqiraj nuk ishte një emër i panjohur për autoritetet shqiptare. Në vitin 2016 ai u arrestua në Vlorë për plagosje të rëndë me dashje. Në vitin 2019 u arrestua në kuadër të një operacioni të përbashkët shqiptaro-italian kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, ndërsa në vitin 2020 u dënua nga drejtësia italiane me 4 vite e 6 muaj burgim për përfshirjen në veprimtari të lidhura me trafikun e narkotikëve.
E kaluara e tij kriminale është një nga elementet që po rikthehen në vëmendje pas atentatit, ndërsa hetuesit spanjollë vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e plotë të motiveve që çuan në vrasjen e shqiptarit.
© SYRI.net
SYRI TV/ Vjedhja e pensioneve nga Posta e Durrësit, SPAK regjistron procedimin penal, nën hetim deputetja e PS
Shembje në rrugën Qafë Bualli-Krastë/ 22 mln euro për aksin që ende s'ka përfunduar, Martaneshi drejt shpopullimit
Shoferi braktisi makinën me 12 kg kanabis xhelatinë - Prangoset 22-vjeçari që e shoqëronte