E enjte, 19 Nëntor 2026 Takohemi N'vizion deri në 18:00 Në vijim ora 18:00: Trashëgimtari Halef Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Sulm i rebelëve Huthi me raketa në Riad, goditet rrokaqielli 385 metra i lartë

Një sulm që u atribuohet rebelëve Huthi të Jemenit ka goditur një nga rrokaqiejt më të lartë të kryeqytetit saudit, Riad, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Ndërtesa strehon selinë e Fondit të Investimeve Publike të Arabisë Saudite.

Sulmi ndodhi gjatë natës në zonën financiare të qytetit. Sipas Drejtorisë së Mbrojtjes Civile të Arabisë Saudite, disa kate të ndërtesës dhe objekte përreth pësuan dëmtime, por deri më tani nuk raportohet për viktima apo persona të plagosur.

Objektiv i sulmit ishte kulla Public Investment Fund (PIF), një rrokaqiell 385 metra i lartë me 80 kate, i vendosur në qendrën financiare King Abdullah Financial District.

Nga shpërthimi u thyen xhamat në shtatë deri në tetë kate, ndërsa pjesë të fasadës metalike të ndërtesës u deformuan. Autoritetet aktivizuan menjëherë ekipet e emergjencës dhe nisën ndërhyrjen në zonën e goditur.

Reklamë

Autoritetet saudite e dënuan sulmin, duke e cilësuar goditjen e objekteve civile si shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare humanitare.

Pak para shpërthimit, banorët e Riadit kishin marrë një alarm në telefonat e tyre për një kërcënim të mundshëm ajror. Më pas, në kryeqytet u dëgjua një shpërthim i fuqishëm, ndërsa koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite njoftoi se kishte përballuar një kërcënim me raketa nga Huthit.

Ky është sulmi i dytë brenda pak ditësh në zonën financiare të Riadit. Më 8 nëntor, një tjetër goditje kishte shënjestruar një ndërtesë të kompanisë shtetërore të naftës Aramco.

Rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani, kanë intensifikuar sulmet ndaj objektivave saudite, duke përdorur raketa dhe dronë. Në shënjestër kanë qenë aeroporte, porte, impiante nafte dhe infrastruktura të tjera strategjike.

Goditja e fundit tregon përshkallëzimin e tensioneve në rajon, me sulmet që tashmë po prekin edhe qendrat kryesore ekonomike dhe financiare të Arabisë Saudite.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.