Pas vitesh pritjeje dhe dy shtyrjesh të datës së publikimit, GTA 6 është tashmë e disponueshme për lojtarët në mbarë botën, përfshirë edhe Britaninë e Madhe, ku fansat tashmë po kalojnë orë të tëra përpara ekranit. Loja ka marrë vlerësime thuajse unanimisht pozitive nga kritikët, duke arritur një mesatare prej 99 pikësh nga 100 në Metacritic, bazuar në 150 recensione, dhe duke thyer rekordin e mbajtur që prej vitit 1998 nga “The Legend of Zelda: Ocarina of Time”.
Entuziazmi për GTA 6 ka qenë aq i madh, sa shumë lojtarë kanë marrë pushime nga puna për t’iu dedikuar lojës, ndërsa disa kompani kanë vendosur t’u japin punonjësve ditën e lirë. Edhe shkollat kanë paralajmëruar nxënësit dhe prindërit që të mos lënë pas dore mësimet, pasi loja është klasifikuar për moshat mbi 18 vjeç për shkak të dhunës grafike, tematikave seksuale dhe përdorimit të drogës. Një shkollë në Essex ka ofruar edhe stimuj për nxënësit që të paraqiten në mësim, përfshirë kuponë, dreka festive dhe leje për të shmangur radhën në mensë.
GTA 6 zhvillohet në shtetin imagjinar amerikan Leonida dhe ndjek historinë e dy protagonistëve, Lucia dhe Jason, të cilët përfshihen në botën e krimit pas një grabitjeje që shkon keq. Loja u publikua në mesnatë sipas orës lokale në vendet ku është e disponueshme, me Zelandën e Re që ishte ndër të parat që mundi ta luante.
Lojtarët kanë vlerësuar veçanërisht grafikën, detajet dhe realizmin e botës virtuale. Aleana Fernando, nga Auckland, tha për BBC se grafika ishte fantastike që në momentet e para, ndërsa Charlie Uood, nga Londra, u shpreh se kishte qeshur me dialogët para se të niste vetë gameplay-i. Pas rreth 30 minutash lojë, ai tha se pritja ia kishte vlejtur plotësisht. Edhe një lojtar nga Gjermania, Timur, e përshkroi si një simulim të jetës, për shkak të numrit të madh të ndërveprimeve brenda lojës.
Kritika pozitive ka marrë edhe mënyra se si trajtohen personazhet femra. Gazetarja e “The Guardian”, Keza MacDonald, vlerësoi rolin e Lucias, duke theksuar se, ndonëse bota e GTA 6 vazhdon të ketë elemente seksizmi, personazhet femra këtë herë paraqiten më njerëzore dhe me më shumë dimension.
Pritshmëritë për këtë edicion janë jashtëzakonisht të larta, pasi GTA 5 u shndërrua në një nga produktet më të suksesshme të argëtimit në histori, me fitime neto që sipas vlerësimeve arritën deri në 10 miliardë dollarë. Rockstar North, kompania zhvilluese me seli në Edinburg, e shtyu publikimin dy herë, duke argumentuar se i duheshin muaj shtesë për ta përfunduar lojën me cilësinë që fansat prisnin.
Rruga drejt publikimit është shoqëruar edhe me incidente, përfshirë sulme kibernetike dhe rrjedhje të materialeve të papublikuara. Arion Kurtaj, 21 vjeç, nga Oxfordi, ka pranuar fajësinë për sulmin ndaj Rockstar Games, të kryer kur ishte 16 dhe 17 vjeç, si pjesë e grupit të hakerëve Lapsus$. Ai kishte vjedhur të dhëna të brendshme, përfshirë 90 video me afro një orë pamje nga versioni i papërfunduar i GTA 6.
Ndërkohë, përpara publikimit, një grup ish-punonjësish të Rockstar protestuan jashtë zyrave të kompanisë, ndërsa në një tribunal u shqyrtuan pretendimet se ata ishin penalizuar për diskutimin e kushteve të punës në një forum online privat. Punonjësit pretenduan se ishin ndëshkuar për përfshirjen në sindikatë, ndërsa kompania i akuzoi për shpërndarje të informacioneve konfidenciale dhe komente denigruese.
Interesi për lojën ka qenë aq i madh sa disa fansa kanë blerë konsola të reja posaçërisht për GTA 6, ndërsa operatorët britanikë të internetit Virgin Media O2, BT dhe EE raportuan rekorde të trafikut në ditët para publikimit. Disa lojtarë kanë planifikuar edhe udhëtime për t’u shkëputur plotësisht nga përditshmëria dhe për t’iu dedikuar lojës.
Një 34-vjeçar nga Manchesteri tha se do të kalonte një javë në Uells, larg internetit dhe angazhimeve, ndërsa partnerja e tij e kishte pranuar me mirëkuptim udhëtimin, edhe pse, siç tha ai, mund të jetë duke pyetur veten pse pushimet romantike përfshijnë një PlayStation.
