Me ftesë të Kancelarit Federal të Gjermanisë, Friedrich Merz, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mori pjesë në takimin e nivelit të lartë të “Koalicionit të Vullnetmirëve” që u zhvillua në Berlin. Rama e përshkroi pjesëmarrjen si një mundësi të mirë për t’u mbledhur në këtë koalicion pas zhvillimeve të fundit dhe veçanërisht pas vendimit të marrë në Dublin për të krijuar një grup përfaqësues që të flasë në emër të gjithë Evropës në një komunikim të mundshëm me Rusinë: “Pikë së pari më lejoni të them se është një mundësi i mirë, për t’u mbledhur këtu në këtë Koalicion, pas asaj që po ndodh. Dhe veçanërisht edhe pas asaj që u vendos në Dublin, për të pasur më në fund një grup përfaqësues që të flasë në emër të gjithë Europës në një komunikim të mundshëm me Rusinë”, tha ai.
I pyetur se cila ishte ndjesia e tij kur sheh Presidentin Putin, Presidentin Xi dhe Presidentin Trump, Rama iu përgjigj prerë: “Përse duhet të kem ndjenja?” Në fjalimin e tij, ai theksoi se vendosja e këtij grupi përfaqësues ishte diçka që duhej të ndodhte dhe që më në fund ndodhi, duke theksuar se Evropa vendosi të ketë një grup në frontin e parë për të përfaqësuar kontinentin në një komunikim të mundshëm me Rusinë. Rama e vlerësoi si gabim strategjik faktin që ky hap nuk ishte ndërmarrë më herët, duke kujtuar se në fillim kishte pasur disa komunikime, por më pas gjithçka u ndërpre. Sipas tij, tani procesi ka rifilluar dhe shprehu shpresën për të parë se çfarë do të ndodhë më tej: “Ose, le të themi, në fillim pati disa komunikime dhe më pas gjithçka u ndërpre dhe tani kjo ka rifilluar, me shpresë, dhe le të shohim se çfarë do të ndodhë”, u shpreh Rama.
Raporti i takimit përfshiu vlerësimin e nevojës për një përfaqësim të unifikuar evropian në dialogun me Rusinë dhe konstatimin se rifillimi i komunikimeve, pas një periudhe ndërprerjeje, është një zhvillim i rëndësishëm për këtë qëllim.
