Shqiptarët më të shqetësuarit në Ballkan për koston e jetesës, 96.6% të alarmuar nga çmimet dhe inflacioni
Shqipëria kryeson vendet e Ballkanit Perëndimor për nivelin e shqetësimit të qytetarëve lidhur me koston e jetesës dhe inflacionin. Sipas rezultateve të anketës SecuriMeter 2026, të realizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, 96.6% e të anketuarve në Shqipëri shprehen të shqetësuar për rritjen e çmimeve dhe vështirësitë ekonomike.
Shifra është ndjeshëm më e lartë se mesatarja rajonale, e cila është 83.4%. Pas Shqipërisë renditet Maqedonia e Veriut, ku 93.8% e qytetarëve shprehin shqetësim për këtë çështje.
Në Bosnjë-Hercegovinë, niveli i shqetësimit arrin në 82%, në Malin e Zi në 78.3%, ndërsa në Serbi në 76.3%. Kosova regjistron përqindjen më të ulët në rajon, me 73.7%.
Shqetësimi i shqiptarëve nuk është vetëm i përhapur, por edhe intensiv. Të anketuarit në Shqipëri e vlerësojnë shqetësimin për koston e jetesës dhe inflacionin me mesatarisht 9 pikë nga 10 të mundshme, kundrejt 8 pikëve që është mesatarja rajonale.
Vështirësitë ekonomike pasqyrohen edhe në përballimin e shpenzimeve bazë. Vetëm 50.6% e të anketuarve në Shqipëri deklarojnë se kanë mundësi ta mbajnë banesën mjaftueshëm të ngrohtë gjatë dimrit dhe të freskët gjatë verës. Në rajon, kjo përqindje arrin në 62.4%.
Edhe më problematike paraqitet mundësia për të siguruar një banesë ose një qira të përballueshme. Vetëm 3.6% e shqiptarëve shprehen të kënaqur me mundësitë që kanë për të përballuar një shpenzim të tillë, ndërsa mesatarja rajonale është 24.7%.
Të dhënat tregojnë se kostoja e jetesës dhe inflacioni mbeten ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve në Ballkanin Perëndimor, por në Shqipëri presioni ekonomik perceptohet në nivele dukshëm më të larta se në vendet e tjera të rajonit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



