Rusia importoi muajin e kaluar sasi rekord benzine përmes transportit detar, pasi sulmet me dronë nga Ukraina dëmtuan rëndë rafineritë dhe reduktuan kapacitetin prodhues të vendit.
Importet detare arritën në 390 mijë tonë në tetor, sipas të dhënave të Kpler, duke shënuar një përmbysje të fortë të rolit tradicional të Rusisë si eksportuese e karburanteve dhe duke nxjerrë në pah cenueshmërinë e saj ndaj sulmeve ukrainase kundër infrastrukturës së karburanteve.
Këtë vit, sulmet e Kievit ndaj rafinerive e kanë zhytur vendin në krizën më të rëndë të karburanteve që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik. Situata u stabilizua pasi Moska ndërmori masa emergjente për të garantuar furnizimin e tregut dhe rriti importet, përfshirë ato nga Maroku, Turqia, India dhe Egjipti, shkruan Ft.
“Rusia po ndryshon gradualisht pozicionin e saj në tregun global të produkteve të rafinuara, duke kaluar nga një qendër e madhe eksporti karburantesh në një treg importi gjithnjë e më të rëndësishëm. Ky është një përmbysje e jashtëzakonshme”, tha Sumit Ritolia, analist kryesor për kërkimin mbi rafinimin dhe modelimin në Kpler.
Rusia nisi importimin e benzinës përmes transportit detar në korrik, me ngarkesat që mbërrinin në portet veriore të Detit Baltik, pranë Shën Petersburgut, si dhe në bregdetin e Detit të Bardhë, për të shmangur sulmet me dronë në Detin e Zi.
Sipas vlerësimeve të Beroc, një institut kërkimor bjellorus, Rusia importoi gjithashtu sasi rekord benzine nga Bjellorusia fqinje në korrik.
Që atëherë, Rusia ka importuar më shumë se 600 mijë tonë benzinë bjelloruse, duke e detyruar Minskun të ridrejtojë furnizimet që më parë shkonin drejt tregjeve të tjera të eksportit dhe t’i vërë rafineritë e tij në punë pranë kapacitetit të plotë.
Rafineritë bjelloruse dhe rafineria Vadinar në Indi, e cila përbënte të gjithë sasinë e benzinës së eksportuar nga India drejt Rusisë, përpunojnë kryesisht naftë bruto ruse.
Kazakistani i ka furnizuar gjithashtu Rusisë me 8 mijë tonë të tjera benzinë që nga vera, sipas ministrit të Energjisë të këtij vendi, Yerlan Akkenzhenov. Shtrirja e gjerë gjeografike e furnizuesve sugjeron se Rusia është përpjekur me të gjitha mënyrat të sigurojë furnizime shtesë me benzinë.

Analistët thonë se importet e benzinës janë shndërruar në diçka më shumë sesa një zgjidhje afatshkurtër për Kremlinin, duke u bërë një pjesë thelbësore e përmbushjes së kërkesës afatgjatë të vendit.
“Kjo nuk ka të bëjë më thjesht me menaxhimin e mungesave të herëpashershme në rajone të caktuara. Importet po bëhen një pjesë gjithnjë e më e rëndësishme e përpjekjeve të Rusisë për të balancuar furnizimin e brendshëm me benzinë, ndërsa ndërprerjet në aktivitetin e rafinerive vazhdojnë”, tha Ritolia nga Kpler.
Duke nënvizuar shqetësimin e qeverisë, Alexander Novak, zëvendëskryeministri rus përgjegjës për sektorin e energjisë, u kërkoi këtë javë agjencive qeveritare dhe kompanive që të “bëjnë çdo përpjekje” për të garantuar përmbushjen e kërkesës së brendshme.
Ai tha se përparësi ishte “rikthimi sa më i shpejtë në punë i rafinerive të naftës” dhe bëri thirrje për vazhdimin e importeve të karburanteve me qëllim “eliminimin e mungesave lokale”.
Kriza e benzinës në Rusi arriti kulmin këtë verë, kur vlerësohet se 40 deri në 45 për qind e kapacitetit të rafinimit ishte jashtë funksionit, pikërisht në kulmin e pushimeve verore dhe të sezonit të korrjeve. Kjo i detyroi shumicën e rajoneve të vendosnin një formë racionimi të karburanteve, ndërsa radhët në pikat e karburantit shtriheshin për kilometra të tëra.
Shumica e automjeteve të pasagjerëve në Rusi përdorin benzinë, prodhimi i së cilës zakonisht tejkalon konsumin e brendshëm me rreth 10 deri në 20 për qind. Automjetet e rënda dhe makineritë përdorin kryesisht naftë, të cilën Rusia e prodhon në sasi shumë më të mëdha sesa kërkesa e brendshme.
Që nga fillimi i krizës, Rusia ka ndërmarrë masa të shumta për të garantuar furnizimin e tregut të brendshëm me benzinë. Përveç rritjes së importeve, qeveria lehtësoi standardet e cilësisë së karburantit për të lejuar përdorimin e benzinës me cilësi më të ulët dhe zgjati kufizimet ekzistuese të eksporteve. Sergei Kaufman, analist në kompaninë e brokerimit Finam me seli në Moskë, vlerëson se prodhimi rus i benzinës është 13 deri në 18 për qind më i ulët se niveli i fillimit të vitit 2026.
Për momentin, situata është kryesisht nën kontroll, ndërsa racionimi i karburantit është kufizuar në pikat e furnizimit të Rosneft, të cilat përbëjnë rreth 10 për qind të totalit të pikave në vend.

Megjithatë, analistët paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet me shpejtësi, ndërsa Ukraina vazhdon të shënjestrojë rafineritë ruse.
“Ukraina po godet vazhdimisht disa nga rafineritë më të mëdha dhe më komplekse të Rusisë, të cilat në përgjithësi kanë rendiment më të lartë të benzinës sesa impiantet më të thjeshta”, tha Ritolia nga Kpler.
“Humbja e kapacitetit për përpunimin e 1 milion fuçive naftë bruto në ditë në këto rafineri komplekse mund të ketë një ndikim shumë më të madh në disponueshmërinë e benzinës sesa një reduktim i barabartë në impiantet më pak komplekse”, shtoi ai.
Sergey Vakulenko, studiues i lartë në Qendrën Carnegie për Rusinë dhe Euroazinë, tha se sulmet tashmë po shkaktonin “probleme serioze”, dhe jo thjesht shqetësime të përkohshme.
“Nëse Ukraina arrin të vazhdojë sulmet në të njëjtën shkallë dhe me të njëjtin intensitet çdo dy deri në tre javë, për disa muaj me radhë, kjo do të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si funksionon ekonomia ruse”, tha ai.