Trump telefonon liderët europianë: Biseda me Putinin shkoi mirë, do të ndihmojë në arritjen e paqes në Ukrainë

Trump telefonon liderët europianë: Biseda me Putinin shkoi mirë, do të ndihmojë në arritjen e paqes në Ukrainë

17:32, 19/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Presidenti amerikan Donald Trump ka telefonuar liderët europianë të mbledhur në Berlin, për t'i informuar mbi bisedën e tij me presidentin rus Vladimir Putin, gjatë takimit në Kinë.

Sipas Bloomberg, që citon burime të njohura me zhvillimet, Trump i ka telefonuar liderët europianë nga avioni presidencial Air Force One, duke u thënë se komunikimi me Putinin kishte shkuar mirë dhe se do të kontribuonte në përpjekjet për arritjen e paqes në Ukrainë. Lajmi është raportuar fillimisht nga agjencia italiane ANSA.

Telefonata vjen pas takimit të zhvilluar në Shenzhen të Kinës, ku Trump dhe Putin u takuan në kuadër të samitit të APEC-ut. Biseda mes dy presidentëve zgjati rreth 40 minuta dhe u përqendrua kryesisht te lufta në Ukrainë.

Sipas agjencisë ruse TASS, e cila citon këshilltarin e Kremlinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, biseda mes Trump dhe Putinit shkoi mirë. Edhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e cilësoi takimin pozitiv në tërësi.

Ndërkohë, në Berlin janë mbledhur liderët europianë në kuadër të takimit të koalicionit të vendeve mbështetëse të Ukrainës, ku merr pjesë edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Në takim janë diskutuar mbështetja ushtarake dhe financiare për Kievin, garancitë e sigurisë për periudhën pas luftës dhe përfshirja e Europës në negociatat e ardhshme me Rusinë.

Sipas Reuters, Zelensky ka theksuar nevojën që Europa të ketë një rol të plotë në procesin diplomatik. Ai ka identifikuar si prioritete për Ukrainën mbrojtjen ajrore, mbështetjen energjetike dhe financiare, diplomacinë dhe përcaktimin e hapave për përfundimin e luftës dhe garantimin e sigurisë së vendit.

Ndërkohë, sipas Al Jazeera-s, një nga çështjet kryesore të diskutimit është edhe financimi i mbrojtjes së Ukrainës për vitin 2027. Komisioni Europian ka propozuar një kredi shtesë prej 45 miliardë eurosh, por edhe nëse miratohet kjo paketë, Kievi do të përballet me një hendek financiar prej rreth 25 miliardë eurosh.

Nga ana tjetër, Putin deklaroi pas takimit në Kinë se Rusia ka ftuar përfaqësues europianë në Moskë për të diskutuar përfshirjen e tyre në negociatat për Ukrainën. Sipas raportimeve të Reuters, presidenti rus u shpreh se diskutimi i çështjeve të sigurisë europiane pa pjesëmarrjen e vetë vendeve europiane do të ishte i pakuptimtë.

Megjithatë, deri tani nuk është bërë e ditur ndonjë marrëveshje konkrete për përfundimin e luftës në Ukrainë si rezultat i takimit mes Trump dhe Putinit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco