Protesta e studentëve kundër mesazhit të rektorit Arben Hajrullahu, kërkohet dorëheqja e tij

Studentë të Fakultetit të Mjekësisë dhe të tjerë të Universitetit të Prishtinës protestuan para Rektoratit, sot, më 19.11.2026, në kundërshtim të mesazhit që pranuan nga rektori Arben Hajrullahu tre ditë më parë, përmes së cilit paralajmëroi pasoja për bojkotimin e mësimit në Fakultet të Mjekësisë.
Studentët e Fakultetit të Mjekësisë po e bojkotojnë mësimin nga data 11.11.2026 pasi nuk po pajtohen që ta evidentojnë vijimin e mësimit përmes QR Code, një metodë që UP po e aplikon edhe në disa fakultete të tjera për evidentim elektronik të realizimit të ligjëratave e ushtrimeve.
10 minuta para se të niste protesta në 11:30, rektori ua hapi dyert e oborrit të Rektoratit të UP- së, derisa matanë ndodheshin studentët e mbledhur dhe pastaj ka hyrë në Rektorat dhe u ka kërkuar zyrtarëve të sigurimit që t’i hapin dyert e Rektoratit.
Më pas, Hajrullahu i ftoi studentët për dialog, mirëpo kjo ftesë ju kthye mbrapsht, pasi e refuzuan dhe i kërkuan që të tërhiqet nga deklarimi në mesazhin dërguar studentëve që po e konsiderojnë “kërcënues”.
Studentët gjatë protestës kishin me vete pankarta me mbishkrime “Dy muaj monolog, tash dialog?”, “Skanimin prioritet, kualitetin opsional”, “Poshtë diktatura” dhe të tjera. Gjatë protestës pati thirrje edhe për dorëheqje të Hajrullahut.
“Studenti duhet të jetë në qendër dhe duhet të jetë në ballë të Universitetit, nuk ka vendime arbitrare, nuk ka rektor autoritar.” – tha Flon Kastrati, kryetar i Parlamentit Studentor të UP-së.
Kastrati tregoi se i kanë kërkuar Këshillit Drejtues të UP-së që ta trajtojnë email-in e rektorit Hajrullahu të datës 16.11.2026, pasi sipas tyre “është e pafalshme me shkel Statutin e Universitetit një rektor.” Ai njoftoi se do t’ia dërgojnë Këshillit Drejtues edhe një raport me shkelje të Satutit nga rektori dhe do të kërkojnë të marrin masa ndaj tij.
Ai tha se protestat do të vazhdojnë derisa Hajrullahu të tërhiqet nga deklaratat e tij të fundit dhe t’iu kërkojë falje studentëve.
Gjatë protestës, studentët e përmendën edhe deklarimin e rektorit Arben Hajrullahu më 18.11.2026 në një intervistë për KALLXO.com ku sipas tyre, ai e ka krahasuar bojkotin e mësimit në Fakultet të Mjekësisë me kohën e aparatit represiv serb.
Pasi përfundoi protesta rreth orës 12:00, rektori Hajrullahu mbajti një konferencë për media. Ai i kishte printuar disa kopje të email-t që ia ka dërguar studentëve dhe ua ofroi gazetarëve derisa e mohoi se i ka kërcënuar studentët.
Pasojat që Hajrullahu ka paralajmëruar në email-in e dërguar për studentët bojkotues në Mjekësi janë jo vetëm përsëritje e vitit të studimit, por edhe humbje të së drejtës për të qenë student i UP-së. Kurse, për stafin akademik që nuk paraqitet në punë për shkak të bojkotit, ka paralajmëruar ndalesa në pagë deri në shkëputje të kontratës.
“Në qoftë se ka gjuhë kërcënuese, atëherë ka ndodh keqkuptimi. E për të cilin keqkuptim unë do të isha i gatshëm në çdo moment m’u tërhjek dhe me kërku falje… Kemi të bëjmë me një njoftim si dhe obligimet statuare si për profesorin, si për studentë, e i cili nga disa forca të panjohura po interpretohet e po dezinformojnë se kinse rektori i ka kërcënuar.” – tha Hajrullahu.
Hajrullahu dyshon se studentët e Mjekësisë po keqpërdoren nga disa persona të stafit akademik.
“Këto insituata Të stisura se kinse kanë ndodhë kërcënime jane faktisht deri në një masë të dirixhuara edhe nga forca të ndryshme politike që siç duket me këtë mirëqeverisje në këtë Universitet kanë problem.” – tha Hajrullahu.
“Nëse ka dikush interes që në UP mos me mbajt mësim, atëherë do të pësojnë së pari studentët, rrezikohen programet e akreditimit si dhe vlefshmëria e diplomave në këtë Universitet.” – ka theksuar ai.
Në lidhje me deklaratën që e ka dhënë Hajrullahu për KALLXO.com, ai e ka sqaruar se nuk ka krahasim të situatës me bojkotin e mësimit në Mjekësi tani, me regjimin serb më parë.
“Ajo çfarë jam deklaru dje përmes një video-lidhje me përfaqësues të mediave është që në këtë universitet nuk ka arritë as regjimin serb me ndal mësimin dhe ne nuk do ta ndalojmë mësimin nga askush… Nuk ka krahasim me regjimin serb. Analogjia është se brezi im, ne si njëri nga ato gjeneratat e Kosovës kohës së apratheidit, kemi protestu me mund me mbajt mësim.”
Rektori i UP-së po ashtu tha se deri më tani menaxhmenti i Fakultetit të Mjekësisë bashkë me profesorët e tij kanë dështuar suksesshëm që të sjellin në Senat të UP-së një rregullore për miratim të specifikave të mësimit në këtë drejtim.
KALLXO.com i ka pyetur Fakultetin e Mjekësisë dhe Këshillin Drejtues të UP-së lidhur me deklaratat para e pas protestës, por nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e lajmit.
Një ditë më parë, KALLXO.com publikoi hulumtimin e evidentimit të mësimit me QR code në Fakultet të Mjekësisë, Fakultet Juridik dhe atë të Arteve, përmes së cilit tregohet se një numër i QR codeve është i vendosur në fakultetet përkatëse dhe kishte lidhje interneti siguruar nga universiteti në ato hapësira.
Parlamenti Studentor i UP-së pati dy reagime ndaj mesazhit të rektorit Hajrullahu ndaj studentëve të Mjekësisë dhe sipas tyre, ai është i papranueshëm.
Mbrëmë, më 18.11.2026, UP publikoi qëndrimin e tij si Universitet për reagimet e Parlamentit Studentor, në të cilin u tha se komunikimi i rektorit me Fakultetin e Mjekësisë ka pasur për qëllim informimin lidhur me përgjegjësitë që burojnë nga Statuti i Universitetit dhe aktet e tjera në fuqi.
Reagimet e Parlamentit Studentor erdhën disa orë pasi KALLXO.com e publikoi hulumtimin dhe intervistën me rektorin në lidhje me evidentimin e mësimit në tri fakultete të UP-së përmes QR Code.


































