Krijimi i një grupi përfaqësues që do të flasë në emër të Europës në një komunikim të mundshëm me Rusinë ishte një nga çështjet e veçanta që kryeministri Edi Rama vuri në dukje gjatë mbërritjes në takimin e nivelit të lartë të “Koalicionit të Vullnetmirëve” në Berlin.
Rama mori pjesë në këtë takim me ftesë të kancelarit gjerman, Friedrich Merz, ndërsa e cilësoi mbledhjen si një mundësi të rëndësishme, veçanërisht pas vendimeve të marra në Dublin për krijimin e një përfaqësie europiane në kontaktet e mundshme me Moskën.
“Është një mundësi e mirë për t’u mbledhur këtu në këtë Koalicion, pas asaj që po ndodh. Dhe veçanërisht edhe pas asaj që u vendos në Dublin, për të pasur më në fund një grup përfaqësues që të flasë në emër të gjithë Europës në një komunikim të mundshëm me Rusinë”, deklaroi Rama.
I pyetur nga gazetarët se çfarë ndjente kur shihte presidentin rus Vladimir Putin, atë kinez Xi Jinping dhe presidentin amerikan Donald Trump, kryeministri u përgjigj shkurt: “Përse duhet të kem ndjenja?”.
Më tej, Rama e cilësoi krijimin e grupit përfaqësues europian si një vendim që duhej të ishte marrë që në fillim të zhvillimeve, duke e konsideruar mungesën e një mekanizmi të tillë si gabim strategjik.
“Është diçka që duhej të ndodhte dhe që më në fund ndodhi, që Europa vendosi të ketë një grup në frontin e parë, i cili do të përfaqësojë Europën në një komunikim të mundshëm me Rusinë, sepse ka qenë një gabim strategjik që nuk e kemi bërë këtë që në fillim”, tha ai.
Kryeministri kujtoi se në fazat e para kishte pasur disa komunikime, të cilat më pas ishin ndërprerë. Sipas tij, procesi tashmë ka rifilluar, por mbetet për t’u parë se çfarë do të sjellë.
“Ose, le të themi, në fillim pati disa komunikime dhe më pas gjithçka u ndërpre dhe tani kjo ka rifilluar, me shpresë, dhe le të shohim se çfarë do të ndodhë”, u shpreh Rama.

