Në Anversë të Belgjikës janë arrestuar gjashtë persona, mes tyre edhe shqiptarë, si pjesë e një organizate ndërkombëtare të trafikut të kokainës. Autorët janë të moshës 25 deri në 38 vjeç. Gjatë ditës së martë janë kryer në total shtatë kontrolle ndërsa katër prej tyre u zhvilluan në Belgjikë, Grimbergen, Jette dhe Ninove. Hetuesit belgë bashkëpunuan me autoritetet policore spanjolle dhe Europol-in.
Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan 21 pako kokainë, materiale për paketimin e drogës, një makinë për numërimin e parave, një sasi kanabisi të përgatitur për shitje, pajisje për ngritjen e një plantacioni kanabisi, dokumente identiteti të falsifikuara dhe një shumë parash. Pas kësaj hetuesit kanë identifikuar 21 raste për transport droge, 6 prej të cilave janë identifikuar nga autoritetet dhe janë pasuar nga sekuestrime.
Sipas hetimeve, rrjeti trafikonte kokainë përmes Belgjikës drejt Mbretërisë së Bashkuar. Ky aktivitet u ka siguruar përfitime në rreth 25 milionë euro. Droga mbërrinte përmes portit të Anversës dhe më pas magazinohej për periudha të shkurtra në apartamente me qira në qytetin e Anversës dhe zonat përreth.
Këto ambiente merreshin përmes platformave online të rezervimit dhe përdoreshin për ripaketimin e lëndës narkotike. Kokaina vendosej në çanta sportive dhe transportohej me kamionë drejt Mbretërisë së Bashkuar. Hetimi ka nxjerrë në pah një lidhje me Spanjën, ku dyshohet se qëndrojnë disa prej anëtarëve të rrjetit kriminal.












