Shqiptarët do të kenë këtë vit dy përfaqësues në Parlamentin e Serbisë. Shaip Kamberi është tashmë një emër i njohur, ndërsa përkrah tij do të ulet për herë të parë Visar Mehmeti, juristi nga Presheva që vjen nga drejtimi i Alternativës për Ndryshim.
Të dy siguruan mandatet nga lista e përbashkët “Koalicioni Shqiptar”, ku Kamberi ishte i pari dhe Mehmeti i dyti. Emrat e tyre figurojnë në vendimin zyrtar të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve për ndarjen e mandateve.
Për Mehmetin, hyrja në Kuvend është një përvojë e re, por angazhimi publik ka nisur shumë më herët, mes aktivizmit për të drejtat e njeriut dhe politikës lokale në Preshevë.
Kush është Visar Mehmeti?
I lindur në vitin 1983, Mehmeti është jurist i diplomuar dhe banon në Preshevë. Sipas platformës monitoruese Otvoreni Parlament, ky është mandati i tij i parë parlamentar, i konfirmuar më 17 nëntor 2026.
Ai drejton Alternativën për Ndryshim dhe në zgjedhjet lokale të vitit 2024 ishte kandidat për kryetar të Preshevës.
Përpara angazhimit partiak, Mehmeti ka qenë pjesë e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, YIHR. Në vitet 2008–2010 shërbeu si koordinator i organizatës për Preshevën, duke u përfshirë në veprimtari që synonin afrimin e të rinjve shqiptarë me bashkëmoshatarët në qytete të tjera të Serbisë.
Në monografinë e YIHR-së, Mehmeti rrëfen edhe angazhimin në çështjet e teksteve shkollore në shqip dhe njohjes së diplomave. Gjatë një praktike në zyrën e organizatës në Beograd, është marrë me hulumtimin e krimeve të luftës në Kosovë, përfshirë vrasjet e familjeve Bogujevci e Berisha dhe të vëllezërve Bytyqi.
“Do të jem zëri i shqiptarëve të Luginës”
Pas konstituimit të Kuvendit, Mehmeti e ka cilësuar marrjen e mandatit si një moment të rëndësishëm edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
“Sot, pas tri ditë diskutimesh, është konstituuar Kuvendi i Republikës së Serbisë, duke shënuar një moment të rëndësishëm politik, edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Pas gjashtë vitesh, ne si shqiptarë do kemi më shumë se një ulëse në këtë institucion, ndërsa pjesë e këtij Kuvendi do të jem edhe unë”, shkruan ai në statusin e tij.
Deputeti i ri thotë se mandatin e sheh mbi të gjitha si përgjegjësi ndaj komunitetit që përfaqëson.
“Do të jem zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, zëri i shqetësimeve, kërkesave dhe të drejtave të tyre, pa dallim politik apo partiak”, shprehet Mehmeti.
Në daljet publike pas zgjedhjeve, Mehmeti ka renditur mes përparësive pasivizimin e adresave të shqiptarëve, mosnjohjen e diplomave të universiteteve të Kosovës dhe përfaqësimin në institucionet shtetërore. Janë çështje që prekin drejtpërdrejt jetën, punësimin dhe të drejtat e shqiptarëve të Luginës.
© SYRI.net