Trump njofton marrëveshje mbi 17 miliardë dollarë për kompanitë amerikane në Azinë Juglindore

Trump njofton marrëveshje mbi 17 miliardë dollarë për kompanitë amerikane në Azinë Juglindore

17:19, 19/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar arritjen e marrëveshjeve tregtare dhe investimeve strategjike me vlerë mbi 17 miliardë dollarë për kompanitë amerikane në Azinë Juglindore. Njoftimi vjen pas një vizite pune dyditore në Filipine, në kuadër të Samitit të ASEAN-it, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë.

Marrëveshjet përfshijnë kompanitë Boeing dhe GE Aerospace, të cilat kanë finalizuar shitjen e 20 avionëve Boeing 787 për kompaninë ajrore Philippine Airlines, në një marrëveshje me vlerë 12 miliardë dollarë.

Uashingtoni dhe Manila do të ndjekin gjithashtu mundësinë e sigurimit të mbi 2 miliardë dollarëve financim amerikan për blerjet ushtarake të Filipineve. Shtetet e Bashkuara do të akordojnë 400 milionë dollarë për të mbështetur operacionet ushtarake në Detin e Kinës Jugore.

Ndërkohë, kompania Subic Grain do të ndërtojë një depo karburanti me vlerë 40 milionë dollarë në gjirin e Subic. Filipinet planifikojnë gjithashtu modernizimin e aeroportit Basco, me synimin për të përmirësuar aksesin ushtarak, reagimin ndaj fatkeqësive natyrore dhe zinxhirët e furnizimit.

Tajlanda ka në plan të shpenzojë deri në 123 milionë dollarë për blerjen e sistemeve amerikane të raketave artilerike me lëvizshmëri të lartë HIMARS. Kjo mund të jetë marrëveshja e parë e këtij lloji në Azinë Juglindore kontinentale.

Në Indonezi, kompania Latitude Energy dhe fondi sovran i pasurisë Danantara janë në negociata për një projekt energjetik me qymyr, me vlerë 2 miliardë dollarë, që do të përdorë teknologji amerikane.

Kompania Navajo Transitional Energy ka nënshkruar gjithashtu një marrëveshje trevjeçare me vlerë 100 milionë dollarë për furnizimin me qymyr të një njësie të kompanisë shtetërore malajziane të energjisë elektrike, Tenaga Nasional Berhad.

Shtetet e Bashkuara kanë premtuar mbështetje edhe për programet e zhvillimit të inteligjencës artificiale në Malajzi dhe Brunei.

Në Brunei, kompania Unified National Networks planifikon t'i japë kompanisë amerikane Vertiv një tender për ndërtimin e një qendre të të dhënave, me shpenzime që arrijnë në afro 1 miliard dollarë dhe që do të sigurohen nga furnitorë amerikanë.

Ndërsa në Malajzi, një konsorcium amerikan do të ndihmojë qeverinë në zhvillimin e një infrastrukture kombëtare cloud për inteligjencën artificiale. Për këtë projekt, Uashingtoni ka ofruar 50 milionë dollarë mbështetje financiare, bëri të ditur rregullatori i komunikimeve në Malajzi. /Reuters/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco