Houthit godasin ndërtesën qeveritare në Riad, raportohet për dëme në disa kate Një skandal i pazakontë ka dalë në dritë në një burg të Britanisë së Madhe, ku një ish-punonjëse e sigurisë dyshohet se kishte krijuar një lidhje intime me një të burgosur dhe kishte bashkëpunuar me të për të futur sasi të mëdha droge brenda institucionit.
Leah Robinson, 25 vjeçe, kishte nisur lidhjen me Patryk Dziewiatkowski, një person i dënuar për trafik kokaine, zjarrvënie dhe shantazh, pasi ishin njohur në burgun HMP Lowdham Grange, në Nottinghamshire, në fillim të vitit 2023, raporton Daily Mail.
Sipas prokurorisë, dyshja përdorte telefona të personave të tjerë për të shkëmbyer mesazhe të fshehta, ndërsa drogën e identifikonin përmes fjalëve të koduara si “Lemon Drizzle”, “Mario” dhe “Milk”.
Skema u zbulua në gusht të vitit 2023, kur Robinson u kap duke tentuar të fuste kanabis në burg gjatë fillimit të ndërrimit të saj. Një qen nuhatës kishte sinjalizuar stafin për praninë e mundshme të drogës.
Gjatë kontrollit, autoritetet zbuluan se ajo po transportonte rreth dy kilogramë rrëshirë kanabisi të fshehur në një dorezë lateksi, ndërsa kolegëve u tregoi se një sasi tjetër ndodhej në veturën e saj jashtë burgut.
Hetimet zbuluan një rrjet më të gjerë të kontrabandës, ku përfshiheshin të burgosur të tjerë, persona jashtë institucionit dhe familjarë të Dziewiatkowskit.
Sipas prokurorit Gareth Weetman, nëna e të burgosurit, Malgorzata Szubrych, kishte shërbyer si ndërmjetëse për shkëmbimin e mesazheve mes çiftit dhe kishte ndihmuar në transferimin e shumave të konsiderueshme të parave. Në llogarinë e saj bankare ishin regjistruar 41.190 paund hyrje të padeklaruara, ndërsa Robinson kishte marrë 4.260 paund.
Në skemë dyshohet se ishin përfshirë edhe persona të tjerë, të cilët siguronin drogën dhe ia dorëzonin ish-punonjëses së burgut në parkingje në Nottingham, nga ku ajo e fuste brenda institucionit.
Prokuroria bëri të ditur se edhe pas lirimit dhe deportimit të Dziewiatkowskit në Poloni, në korrik të vitit 2023, aktiviteti i paligjshëm kishte vazhduar. Ai madje i kishte shkruar Robinsonit se nga dërgesa e ardhshme e drogës në burg mund të fitonin 500 paund.
Sipas prokurorisë, droga e gjetur në momentin e arrestimit të Robinsonit kishte vlerë nga 6.000 deri në 12.000 paund, ndërsa çmimi i substancave narkotike brenda burgjeve mund të jetë deri në dhjetë herë më i lartë sesa në tregun jashtë tyre.
Të dy protagonistët kanë pranuar fajësinë për komplot për furnizim me drogë të kategorisë B. Robinson është deklaruar gjithashtu fajtore për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Avokatja e saj mbrojtëse tha se Robinson ishte vetëm 21 vjeçe kur kishte nisur kryerjen e veprave penale dhe se gjatë punës në burg kishte përjetuar situata të rënda psikologjike, përfshirë dëshmimin e dy vetëvrasjeve. Sipas mbrojtjes, ajo ishte diagnostikuar me çrregullim të stresit post-traumatik (PTSD).
Ndërkaq, avokati i Dziewiatkowskit deklaroi se klienti i tij e pranonte se kishte përfituar nga Robinson, por mohoi se bëhej fjalë për një rast manipulimi apo presioni përmes joshjes.
Top Channel