Një 30-vjeçar shqiptar, banues në Forli të Italisë, është arrestuar pas një ndjekjeje spektakolare nga policia në zonën mes Lugo-s dhe Cotignola-s.
Sipas medias italiane RavennaToday, automjeti tip ‘Lancia Delta’, ku udhëtonin tre persona, nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe gjatë arratisjes arriti shpejtësinë 150 km/orë, duke kryer manovra të rrezikshme në rrugë.
Tre personat braktisën makinën dhe u larguan në këmbë.
Policia arriti të kapte 30-vjeçarin shqiptar brenda një vreshti, ku ai dyshohet se goditi një efektiv në përpjekje për t'i shpëtuar arrestimit. Dy personat e tjerë arritën të largoheshin.
Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën një smeriluese, kaçavida, doreza, kapuçë për maskimin e fytyrës, veshje të errëta dhe dy varëse ari me origjinë të paqartë.
Shqiptari, i njohur më parë për vepra të ngjashme penale, u arrestua për rezistencë ndaj policisë dhe plagosje.
Gjykata konfirmoi arrestimin dhe caktoi detyrimin e paraqitjes së përditshme, ndërsa ndaj tij u vendos edhe ndalimi i kthimit në komunat Lugo dhe Cotignola për katër vite.
© SYRI.net