Nga Drenica në Cyrih, rrugëtimi i Fadil Çitakut, shqiptarit që themeloi Akademinë e Shkencave të Lidershipit në Zvicër

Një akademi e përqendruar në studimin shkencor të lidershipit, e themeluar nga një shqiptar në Cyrih të Zvicrës, është bërë pjesë e rrugëtimit profesional të Fadil Çitakut, i cili për më shumë se 12 vjet është angazhuar në zhvillimin dhe promovimin e kësaj fushe, shkruan Telegrafi.
Në një intervistë për Telegrafi Diasporë, Çitaku, themelues dhe rektor i Akademisë së Shkencave të Lidershipit në Cyrih (ALSS), ka rrëfyer se si lindi ideja për themelimin e saj, çfarë e dallon këtë institucion nga të tjerët dhe pse, sipas tij, lidershipi duhet të mbështetet në kërkime shkencore dhe në zbatimin praktik të njohurive.
I lindur në Drenicë, Çitaku tregon se që në fëmijëri kishte dëshirë të kontribuonte për njerëzit dhe shoqërinë. Pas shkollimit në Kosovë, ai vazhdoi studimet në Zvicër, ku gjatë punës së tij akademike u përqendrua edhe në hulumtimin e kompetencave të lidershipit.
Gjatë studimeve të doktoratës, ai thotë se ka hulumtuar këtë fushë në disa vende, përfshirë Zvicrën, Gjermaninë, Austrinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadanë dhe Britaninë e Madhe. Kjo përvojë, sipas tij, ndikoi në krijimin e akademisë, me synimin që lidershipi të trajtohej si një fushë e mbështetur në shkencë dhe jo vetëm në teori të përgjithshme.
Një prej veçorive të Akademisë së Shkencave të Lidershipit është përqendrimi në neuro-lidership. Çitaku thekson se puna e institucionit mbështetet në kërkime shkencore, ndërsa programet përfshijnë studime bachelor dhe master, si dhe veprimtari në nivelin e doktoratës.
Përveç përmbajtjes akademike, ai veçon edhe mënyrën se si zhvillohet procesi i të nxënit. Sipas tij, përmes metodës metakognitive, studentët nxiten të reflektojnë mbi njohuritë që marrin dhe të kuptojnë se si mund t’i zbatojnë ato në praktikë. Kjo, siç shpjegon ai, është e rëndësishme edhe për tregun e punës, ku organizatat kanë nevojë për profesionistë që jo vetëm zotërojnë njohuri, por dinë t’i përdorin ato.
Në intervistë, Çitaku është ndalur edhe te kuptimi i lidershipit dhe dallimi mes një shefi dhe një lideri. Sipas tij, lideri i vërtetë nuk është thjesht personi që jep urdhra, por ai që krijon mundësi për zhvillimin e njerëzve që udhëheq, si në aspektin profesional, ashtu edhe në karrierë.
Ai e konsideron kujdesin ndaj njerëzve, integritetin dhe besueshmërinë ndër kompetencat kryesore të një udhëheqësi. Një lider, sipas tij, duhet të jetë në gjendje t’i pranojë gabimet dhe të kërkojë ndihmë kur nuk ka përgjigje për diçka, në vend që të paraqitet si person që di gjithçka, përcjell Telegrafi.
Çitaku vlerëson se lidershipi nuk është vetëm një cilësi me të cilën njeriu lind, por është diçka që mund të mësohet dhe zhvillohet. Ai shpjegon se rrethanat dhe mjedisi ku rritet një individ kanë ndikim të rëndësishëm në formimin e tij, duke iu referuar edhe epigjenetikës.
Një pjesë të bisedës ia ka kushtuar edhe potencialit të të rinjve shqiptarë në Kosovë dhe diasporë, të cilin e vlerëson si shumë të madh. Ai thekson rëndësinë e shfrytëzimit të mundësive që ofrojnë vendet ku jetojnë shqiptarët, por edhe të përcjelljes së përvojës dhe njohurive të fituara jashtë vendit në shoqërinë shqiptare.
Në këtë kuadër, Çitaku ka folur edhe për angazhimin e tij në themelimin e Institutit për Avancim Kombëtar, ku ishte bashkëiniciues dhe bashkëthemelues. Ai tregon se, përmes angazhimit të tij dhe Akademisë së Shkencave të Lidershipit, janë organizuar dhjetëra konferenca, me synimin që njohuritë dhe përvoja ndërkombëtare të ndahen edhe në trojet shqiptare.
Ndër aktivitetet e përmendura prej tij është edhe një konferencë e organizuar në Prizren, si pjesë e përpjekjeve për të nxitur zhvillimin e lidershipit dhe për të krijuar hapësirë për shkëmbimin e përvojave.
Për Çitakun, zhvillimi i lidershipit nuk duhet të kufizohet vetëm në botën e biznesit dhe në organizata. Ai e sheh atë si të rëndësishëm edhe për institucionet dhe shoqërinë, duke theksuar se një udhëheqës duhet të dëshmohet përmes veprave dhe ndikimit që ka te njerëzit, e jo vetëm përmes fjalëve./Telegrafi/

































