Mishi brazilian ende në krye: Dy muaj pas masës, harta e importeve nuk ka ndryshuar


Pak kohë pas hyrjes në fuqi të kufizimeve për importin e mishit të gjedhit dhe shpendëve nga Brazili, harta e furnizimit të Shqipërisë nuk ka ndryshuar ende ndjeshëm. Të dhënat e INSTAT tregojnë se Brazili vijon të jetë burimi kryesor i mishit dhe të brendshmeve të ngrënshme që hyjnë në vend, madje duke rritur lehtë peshën në total.
Në janar-gusht 2026, Shqipëria importoi rreth 32.4 mijë ton mish dhe të brendshme, prej të cilave afro 10.7 mijë ton erdhën nga Brazili. Kjo i jepte vendit amerikano-latin rreth 32.9% të sasisë totale.
Pas 3 shtatorit, kur hynë në fuqi kufizimet, panorama nuk ndryshoi në drejtimin e pritshëm. Në shtator dhe tetor u importuan gjithsej rreth 9.7 mijë ton mish, ndërsa rreth 3.36 mijë ton erdhën përsëri nga Brazili. Pesha e tij në total u ngjit në rreth 34.5%.
As furnitorët e tjerë nuk tregojnë ende një zëvendësim të qartë. Pesha e SHBA-së ra nga rreth 18.1% para masës në 14.7% në shtator-tetor, ndërsa Greqia mbeti pothuajse e pandryshuar në rreth 16.5%. Italia fitoi lehtë terren, nga 9.8% në 10.4%, ndërsa rritje shënuan edhe Polonia dhe Rumania, por nga nivele shumë më të ulëta.
Ministria e Bujqësisë konfirmoi se nga 3 shtatori nuk lejohen importet e mishit të gjedhit dhe shpendëve nga Brazili sipas kërkesave të reja të listimit europian. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kishte sqaruar gjithashtu se ngarkesat e këtyre kategorive, të pajisura me certifikatë veterinare përpara 3 shtatorit, mund të pranoheshin edhe nëse mbërrinin më vonë në Shqipëri.
Një tjetër element është se statistikat e përdorura përfshijnë të gjithë grupin “mish dhe të brendshme të ngrënshme”, jo vetëm mishin e gjedhit dhe shpendëve. Për mishin e derrit, autoritetet shqiptare deklaruan në tetor se marrëdhëniet tregtare me Brazilin ishin ende në rishikim.
Fakti që Brazili vijon të shfaqet me peshë të lartë në importet e shtatorit dhe tetorit nuk do të thotë domosdoshmërisht se kufizimi nuk po zbatohet. Një pjesë e ngarkesave mund të jenë pajisur me certifikata veterinare përpara hyrjes në fuqi të masës dhe të kenë mbërritur në Shqipëri më vonë, çka e bën këtë periudhë ende tranzitore.
360grade.al



















