Al-Ittihad rikthen interesimin për Edon Zhegrovën, përgatit ofertë prej 15 milionë eurosh
Gjiganti saudit Al-Ittihad ka rikthyer interesimin për yllin e Kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova, të cilin synon ta transferojë gjatë afatit kalimtar të janarit.
Sipas mediumit italian “Tuttojuve”, klubi nga Arabia Saudite po përgatit një ofertë prej 15 milionë eurosh për futbollistin 27-vjeçar të Juventusit. Al-Ittihad kishte tentuar ta transferonte Zhegrovën edhe në ditët e fundit të afatit kalimtar të verës, por marrëveshja nuk ishte realizuar.
Interesimi i ri lidhet me lëndimin e rëndë të sulmuesit të krahut, Roger Fernandes, që ka shtyrë drejtuesit e klubit saudit të kërkojnë përforcime në repartin ofensiv.
Zhegrova shihet si një nga alternativat për ta mbuluar mungesën e Fernandesit, ndërsa klubi saudit pritet të tentojë transferimin e tij në janar.
Megjithatë, mbetet të shihet nëse Juventusi do të jetë i gatshëm ta shqyrtojë një ofertë të tillë për reprezentuesin e Kosovës. Për momentin, bëhet fjalë vetëm për raportime të mediave italiane dhe nuk ka konfirmim zyrtar për ndonjë marrëveshje mes klubeve.















