Një tjetër ngarkesë me speca me origjinë nga Shqipëria është ndaluar në Kroaci, pasi analizat laboratorike kanë zbuluar përqendrim të lartë të nikelit, mbi kufirin e përcaktuar nga Bashkimi Evropian.
Sipas njoftimit të publikuar në sistemin europian të alarmit për sigurinë ushqimore (RASFF), më 16 nëntor, autoritetet kroate kanë marrë mostra nga produktet në pikën kufitare. Rezultatet kanë treguar një përmbajtje nikeli prej 0,780 mg/kg (ppm), ndërkohë që niveli maksimal i lejuar është 0,40 mg/kg.
Nikeli është një element që gjendet natyrshëm në tokë dhe mund të përthithet nga bimët përmes rrënjëve. Sasia që përfundon në perime ndikohet nga disa faktorë, mes tyre përbërja e tokës, përdorimi i plehrave kimike, cilësia e ujit për ujitje dhe ndotja industriale.
Prania e këtij metali në ushqime përbën shqetësim për shëndetin, veçanërisht te personat e ndjeshëm ndaj tij. Ekspozimi mund të shkaktojë reaksione alergjike, si urtikarie dhe ekzemë, ndërsa në raste të caktuara mund të shoqërohet edhe me shqetësime gastrointestinale.
Rasti i fundit i shtohet një serie incidentesh të regjistruara muajt e fundit me produkte bujqësore shqiptare në tregun kroat dhe atë europian.
Vetëm tre ditë më parë, në Kroaci u raportua bllokimi i një tjetër ngarkese me speca dhe limona nga Shqipëria. Në fund të tetorit, autoritetet ndaluan një ngarkesë me speca të kuq për shkak të pranisë së pesticidit chlorfenapyr mbi kufijtë e lejuar nga BE-ja.
Ndërkohë, në fund të shtatorit, një sasi specash jeshilë me origjinë shqiptare u bllokua dhe më pas u asgjësua për shkak të nivelit të lartë të nikelit.
Edhe më herët, në muajin qershor, një ngarkesë me speca të kuq ishte ndaluar për shkak të përqendrimit të lartë të pesticidit acetamiprid.
Këto raste kanë rikthyer vëmendjen te kontrollet e sigurisë ushqimore dhe respektimi i standardeve europiane për produktet bujqësore që eksportohen nga Shqipëria.