Hamza: Projektbuxheti për vitin 2027 nuk garanton as mirëmbajtjen e investimeve dhe shërbimeve
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kritikuar projektbuxhetin për vitin 2027, duke vlerësuar se ai nuk është zhvillimor dhe nuk garanton as mirëmbajtjen e investimeve dhe shërbimeve ekzistuese.
Gjatë diskutimit në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku po shqyrtohet projektbuxheti, Hamza tha se shifrat e paraqitura nuk i japin bazë për ta cilësuar atë si buxhet zhvillimor.
“Çdo gjë që është e mirë në kuadër të buxhetit, e vlerësoj edhe është për me u vlerësu. Kisha pas dëshirë që shifrat, numrat e prezantuara në këtë buxhet me më dhanë mundësi me konstatu që ky është një buxhet zhvillimor. Po e them që ky është një buxhet që nuk garanton as mirëmbajtje”, tha Hamza.
Ai u ndal te rritja ekonomike, duke thënë se norma prej 3.8 për qind nuk është e mjaftueshme për t’i përballuar sfidat e ekonomisë së Kosovës.
“Rritja ekonomike, sado që është pozitive, nuk kemi me u referu qysh dojmë, po është 3.8% rritja ekonomike reale për vitin 2025 e që pritet afërsisht edhe në këtë vit tjetër aty. Një rritje ekonomike prej 3.8%, kur e marrim bazën e ekonomisë së Kosovës, është e pamjaftueshme me i adresu sfidat e ekonomisë së Kosovës”, u shpreh ai.
Si probleme kryesore, Hamza përmendi deficitin tregtar, përkeqësimin e deficitit të llogarisë rrjedhëse dhe inflacionin, për të cilin tha se Kosova ka normën më të lartë në rajon.
“Ekonomia e Kosovës ka sfida të thella. E para, e kemi deficitin e lartë tregtar. E dyta, kemi përkeqësim të deficitit të llogarisë rrjedhëse. Dhe kemi normën më të lartë të inflacionit krahasuar me të gjitha vendet e rajonit. Po, Kosova e ka adoptu euron në mënyrë të njëanshme. Po njëjtë e ka bo dhe Mali i Zi. Po nuk e ka njëjtë normën e inflacionit. Nuk e kanë as vendet tjera të Ballkanit Perëndimor e nuk e kanë as vendet e Bashkimit Evropian”, deklaroi deputeti i PDK-së.
Sipas Hamzës, gjendja ekonomike duhet të vlerësohet edhe përmes fuqisë blerëse të qytetarëve dhe jo vetëm shumës nominale të mjeteve që kanë në dispozicion.
“Kur po flasim për para, duhet me pas një dallim substancial. Vlerën për para: në çfarë gjëra munesh me ble sot me ato para e sa ke mujt me ble para pesë vjetëve edhe para dhjetë vjetëve. Standardi i jetesës së qytetarëve të Kosovës po përkeqësohet”, tha ai.
Hamza ngriti shqetësimin edhe për rritjen e normave të interesit dhe shtrenjtimin e kredive, duke thënë se kjo po e vështirëson qasjen e bizneseve në financim. Ai vuri në dukje se, sipas tij, kërkesa për kredi nga ekonomitë familjare tashmë ka kaluar atë të bizneseve.
“Normat e interesit janë rrit. Norma e peshuar e interesit është 6.9%. Kreditja është shtrenjtu. Në këtë formë nuk i ndihmohet bizneset. Nëse shikojmë strukturën e kredive, në të kaluarën ka dominu më shumë kërkesa për kredi nga bizneset. Sot dominon kërkesa për kredi nga ekonomitë familjare. Pse? Ekonomive familjare ju mungon likuiditeti”, theksoi ai.
Duke folur për tregtinë e jashtme, deputeti i PDK-së tha se rritja e importeve në vlerë monetare nuk nënkupton domosdoshmërisht rritje të aktivitetit ekonomik, pasi ajo mund të jetë ndikuar nga shtrenjtimi i çmimeve. Ai iu referua të dhënave zyrtare, për të cilat tha se tregojnë rënie të importeve në vëllim.
“Çka është me rëndësi? U fol për rritjen e importeve, u fol edhe për rritjen e eksporteve. Po rritja e importeve ka ndodh në vlerë. Ka ndodh në vlerë si rezultat i rritjes së çmimeve, i rritjes së inflacionit. Po treguesi më real a po zhvillohet ekonomia është a janë rrit importet në vëllim. E nëse i referohemi të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe institucioneve tjera, del që kemi pas rënie të importeve në vëllim. Nuk munet dikush me arsyetu që ka zhvillim të qëndrueshëm, të hafshëm ekonomik, kur kemi rënie të importeve në vëllim”, deklaroi Hamza.
Një pjesë të kritikave ai ia kushtoi edhe strukturës së projektbuxhetit, veçanërisht pjesëmarrjes së investimeve kapitale në totalin e shpenzimeve. Sipas tij, kjo pjesëmarrje ka rënë nga rreth 30 për qind në të kaluarën në 25 për qind në projektbuxhetin për vitin 2027.
“Struktura e buxhetit është tu u dëmtu. Ky është fakt. Në të kaluarën pjesëmarrja e investimeve kapitale në totalin e shpenzimeve të buxhetit ka qenë rreth 30%. Sot në buxhetin e propozuar është 25%. Edhe kjo është në planifikim. Në realizim unë ju siguroj që do të jetë edhe më e ultë”, tha ai.
Hamza kritikoi edhe mënyrën e raportimit të realizimit të investimeve kapitale. Ai pretendoi se një pjesë e mjeteve që figurojnë si investime për shkolla, çerdhe dhe rrugë, në fakt po përdoren për pagesën e pagave, për shkak të vendimeve gjyqësore dhe urdhrave përmbarimorë.
“Edhe kur jemi te realizimi, është një farë iluzioni optik këtu. Del që janë investime kapitale. Del që është realizu një shkollë apo një çerdhe. Qoftë të komunave, e sidomos të komunave. Mirëpo unë ju siguroj që për shkak të vendimeve gjyqësore dhe urdhër përmbarimor, ato figurojnë çerdhe, figurojnë shkolla, figurojnë rrugë, po në fakt janë te pagat. Sepse janë realizu pagat prej investimeve kapitale”, u shpreh ai.
Në fund, Hamza tha se këto kontrata lidhen edhe me qeveritë e kaluara, por theksoi se kishte paralajmëruar më herët për këtë problem.
“Këtu dikush mundet me më thanë, e them unë, që është si rezultat i qeverive të kaluara. Po, po. Këto kontrata janë shkru edhe ju kam thanë edhe atëherë. Edhe atëherë ju kam thanë. Nuk kanë kalu nga Ministria e Financave”, tha Hamza.















