Policia e Kosovës ka identifikuar 155 shtetase shqiptare gjatë një operacioni në shkallë vendi kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe prostitucionit. Kontrollet u zhvilluan në lokale me muzikë live dhe qendra masazhi, ndërsa në total u inspektuan 102 subjekte, 15 prej të cilave u mbyllën për shkelje administrative.
Operacioni i koduar “Vjeshta 2026” u zhvillua nga 3 deri më 17 nëntor, nën drejtimin e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në bashkëpunim me inspektorë të institucioneve të ndryshme dhe njësi të Policisë së Kosovës.
Kontrollet e para u kryen në 40 lokale me muzikë live, ku u identifikuan 285 persona, mes tyre 223 femra dhe 62 meshkuj. Nga ky grup, 117 ishin shtetas të Kosovës dhe 168 të huaj. Në mesin e shtetaseve të huaja, 155 ishin nga Shqipëria, nëntë nga Serbia, tri nga Maqedonia e Veriut dhe një nga Kolumbia.
Pas inspektimeve, tetë lokale u mbyllën për shkelje administrative nga inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Operacioni u shtri edhe në 62 qendra masazhi, ku u identifikuan 120 persona, përkatësisht 94 femra dhe 26 meshkuj. Prej tyre, 73 ishin shtetas të Kosovës dhe 47 të huaj. Në këtë kategori, 19 gra ishin nga Shqipëria, 27 nga Tajlanda dhe një nga Serbia.
Për shkelje administrative u mbyllën edhe shtatë qendra masazhi.
Gjatë operacionit u evidentuan gjithashtu katër raste të kundërvajtjes “Marrje me prostitucion”, të lidhura me aktivitetin e eskortës. Për këto raste u arrestuan tetë persona: katër burra, tre shtetas të Kosovës dhe një i Shqipërisë, si dhe katër gra, një nga Brazili dhe tri nga Kolumbia.
Për personat e përfshirë u dorëzuan fletëparaqitje në gjykatë dhe u shqiptuan gjoba. Ndaj shtetaseve të huaja u vendosën gjithashtu masa plotësuese për dëbimin nga Kosova dhe ndalimin e hyrjes në territorin e vendit, për periudha nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Policia bëri të ditur se të gjitha grave të konstatuara në lokalet me muzikë live, qendrat e masazhit dhe aktivitetin e eskortës iu dha mundësia të deklaronin nëse kishin qenë viktima të ndonjë forme shfrytëzimi apo trafikimi.
Megjithatë, sipas autoriteteve, gjatë operacionit nuk u identifikua asnjë rast i trafikimit të qenieve njerëzore.
Operacioni u realizua në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Tregut, Inspektoratin Qendror të Punës, Administratën Tatimore të Kosovës, inspektorët sanitarë dhe njësi të tjera policore.

