Elbasani-Dinamo në RTSH, Kalari: Kemi punuar mirë, jemi gati
Dinamo rikthehet në kampionat pas pauzës dyjavore, me përballjen ndaj Elbasanit, që do të zhvillohet nesër në orën 18:30 në “Elbasan Arena” dhe do të transmetohet në RTSH.
Në prag të kësaj sfide, zëvendës-trajneri i bluve, Renaldo Kalari, foli për përgatitjet e skuadrës, gjendjen e grupit dhe kundërshtarin. Ai vlerësoi punën e zhvilluar gjatë ndërprerjes së kampionatit dhe shprehu besimin se skuadra do të japë maksimumin për të marrë fitoren.
Përgatitjet dhe gjendja e skuadrës – “Rikthehemi pas një pauze dyjavore. Grupi është pothuajse i plotë, me dy-tre mungesa për shkak të dëmtimeve dhe pezullimeve nga kartonët. Kemi punuar mirë gjatë kësaj periudhe, pavarësisht mungesës së lojtarëve që ishin të grumbulluar me kombëtaret.Kemi analizuar me kujdes edhe ndeshjen e fundit ndaj Skënderbeut, për të përmirësuar fazën sulmuese dhe për të rritur shpejtësinë e veprimeve në manovrën e skuadrës.”
Përballë Elbasani– “Përballë kemi Elbasanin, një skuadër që e kemi analizuar dhe që është ndryshe nga ajo me të cilën u përballëm në fazën e parë. E kemi përgatitur sa më mirë këtë ndeshje dhe nesër do të synojmë të paraqitemi në mënyrën më të mirë të mundshme.”
Përballja me Glen Dajën– Kjo ndeshje do t’i vendosë blutë përballë edhe ish-pjesëtarit të stafit të Dinamos, Glen Dajës, tashmë në drejtimin e Elbasanit. Kalari shprehu vlerësimin e tij për ish-kolegun, duke theksuar njëkohësisht objektivin e skuadrës në këtë përballje.“Gleni është shoku dhe miku im, përtej kësaj ndeshjeje. Largimi i tij është një vlerë më pak për stafin e Dinamos, ndërsa për Elbasanin është një vlerë e madhe profesionale dhe njerëzore. Nesër, ne do të bëjmë gjithçka për ta fituar ndeshjen.”
Gatishmëria për sfidën e nesërme– “Jemi gati. Pavarësisht lojtarëve të dëmtuar apo të pezulluar, kemi një organikë të plotë për ta përballuar këtë ndeshje. Ashtu siç kanë bërë në çdo takim, jam i sigurt se lojtarët do të japin maksimumin dhe më të mirën e tyre për të arritur objektivat tanë.”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




