Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se Bashkimi Evropian (BE) do të vazhdojë të shtojë presionin ndaj Rusisë derisa Moska të pranojë të ulet në tryezën e negociatave
“Mesazhi im në takimin e sotëm të Koalicionit të të Gatshmëve ishte i qartë. Paqja varet nga vendosja e Ukrainës në një pozitë të fuqishme”, shkroi von der Leyen në rrjetin social amerikan X.
Ajo tha se kredia e re prej 45 miliardë eurosh e BE-së do ta mbështesë këtë synim dhe se blloku evropian do të vazhdojë të shtojë presionin ndaj Rusisë.
“Paketa jonë e 22-të e sanksioneve është në përgatitje”, tha ajo.
Edhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, rikonfirmoi mbështetjen e BE-së për Ukrainën, duke theksuar se çdo marrëveshje paqeje duhet të respektojë sovranitetin e vendit.
“Vetëm një paqe që respekton sovranitetin e Ukrainës mund të jetë e drejtë dhe e qëndrueshme. Mbështetja që mund të ofrojë Koalicioni i të Gatshmëve, përfshirë garancitë e ardhshme të sigurisë, është thelbësore”, shkroi Costa në X.
